Ekstradohet nga Spanja shtetasi Leonard Luzi, i akuzuar për atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në gusht të vitit të kaluar. Në vendin tonë u soll 4 muaj pas arrestimit, ndërsa Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën “Arrest me burg”. Mësohet se Luzi e porositi vrasjen për hakmarrje ndaj kushëririt të tij, por atentati dështoi kur ekzekutori i dyshuar u arrestua me pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
Policia e Shtetit ka ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, shtetasin L.L (L.S), pas një operacioni të përbashkët mes dy vendeve. 47-vjeçari nga Vlora, ishte arrestuar në Spanjë gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Policia bën me dije se 47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E.M. dhe I.H. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi A.N, u arrestua para se të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.