Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u shpreh sot se tashmë Ukraina e ka humbur luftën kundër pushtimit rus dhe se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do ta ndërpresë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kievin. Orban është mikpritës i një samiti dyditor në kryeqytetin hungarez Budapest.
Lufta në Ukrainë është temë kryesore në axhendën e liderëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Shumica e tyre besojnë se vazhdimi i furnizimit të Ukrainës me armë dhe ndihmë financiare janë elemente të rëndësishme për sigurinë e kontinentit.
Duke folur në radion shtetërore, Orban, politikan i afërt me Trump-in dhe presidentin rus Vladimir Putin, përsëriti qëndrimin e njohur të tij se duhet të shpallet armëpushim i menjëhershëm. Po ashtu, parashikoi se Trump-i, i cili fitoi zgjedhjet në SHBA këtë javë do t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Sikur Donald Trump t’i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të kishte pasur luftë në Ukrainë. Gjendja në vijën e frontit është e qartë, ka ndodhur një disfatë ushtarake. Amerikanët do të tërhiqen nga kjo luftë.
Forcat ruse kanë shënuar përparime të vogla në lindje të Ukrainës, edhe pse pozicionet në vijën e frontit kanë mbetur kryesisht të qëndrueshme për muaj të tërë. Por trupat ukrainase janë duke hasur në vështirësi që t’i bëjnë ballë ushtrisë ruse, e cila është më e madhe dhe e pajisur më mirë.
Mbështetja nga Perëndimi është tejet vendimtare për Ukrainën për t’i bërë ballë pasojave të luftës. Pasiguria lidhur me atë se sa do të zgjasë kjo ndihmë u rrit këtë javë, pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhje. Siç dihet, vazhdimisht Trump-i e ka kundërshtuar mbështetjen e SHBA-ve për Ukrainën.
Gjatë takimit të një dite më parë të liderëve europianë në Budapest, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kundërshtoi pretendimet e Donald Trump-it se lufta e Rusisë me Ukrainën mund të përfundojë brenda ditës. Ukraina dhe shumë mbështetës të saj europianë shqetësohen se kjo nënkupton marrëveshje paqeje sipas kushteve që i leverdisin Putin-it e që përfshijnë heqjen dorë nga territori ukrainas.
Nëse do të ndodhte shpejt, do të humbiste Ukraina, u shpreh Zelensky.