Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vendi i të cilit po kryeson presidencën 6-mujore të Bashkimit Europian ndodhet në Maqedoninë e Veriut në një vizitë dyditore, i shoqëruar nga anëtarë të qeverisë që drejton. Para takimit kokë më kokë me homologun maqedonas, Hristijan Mickoski, Orban qëndroi pranë qendrës së shtypit në një hotel të Ohrit ku sot nisi një konferencë ndërqeveritare.
Orban konsumoi kafen e mëngjesit, kreu biseda telefonike e lexoi dokumente në tarracën e hotelit dhe më pas u nis drejt vilës së kryeministrisë, aty pranë. Vizita filloi dje me takime dypalëshe në nivel ministror.
Eshtë planifikuar shëtitje në Ohër, vizitë në kishën e Virgjëreshës Perivlepta, në Teatrin Antik e në kompleksin e manastirit të Shën Naumit. Të dy kryeministrat do të vendosin lule pranë monumentit të shenjtorëve Kiril e Metodi.
Siguria rreth hotelit është në nivelin më të lartë me prani të madhe policore.
Gjatë samitit të NATO-s në Uashington që u mbajt në gjysmën e parë të korrikut, Mickoski dhe Orban ranë dakord që Maqedonia e Veriut të merrte kredi nga Hungaria në vlerë 500 milion euro. Më 17 shtator, ligji për kredinë hungareze u miratua në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
Huaja e Bankës Hungareze të Eksport-Importit, shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar do të merret në një këst. Afati i shlyerjes së saj është 15 vjet duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vjetësh dhe norma e interesit është fikse, 3.25%. Do të shlyhet me 24 këste gjashtëmujore, në datat 15 shkurt dhe 15 gusht të çdo viti.
Opozita maqedonase hodhi akuza se marrëveshja e kredisë u arrit në mbledhje me dyer të mbyllura, me qëllime tejet të dyshimta e se “ka sjellë pasoja politike dhe ekonomike, duke rritur jashtëzakonisht shumë borxhin publik”.
Por, VMRO-DPMNE/ja thotë se procedura është transparente e se për herë të parë ka një kredi për të cilën paraprakisht dihet se për çfarë do të shpenzohet e se do të ndihmojë komunat dhe ekonominë.
Në vitin 2013, Orban ishte për vizitë zyrtare në vendin fqinj kur iu dha Urdhri “8 Shtatori” për merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore e bashkëpunimit paqësor mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Urdhri iu dorëzua nga presidenti i atëhershëm Gjorgje Ivanov ndërsa u takua dhe me kryeministrin e atëhershëm, Nikolla Gruevski.