Bota

Orban në Moskë, BE-ja vazhdon të distancohet prej tij!

Zyrtarët e Bashkimit Europian (BE) kanë rritur shkallën e distancimit të Bllokut nga një vizitë e beftë e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, sot në Rusi. Në Moskë, ai gjendet teksa Budapesti zyrtar ka marrë drejtimin 6-mujor të presidencës së Bashkimit Europian dhe ndërsa i paraqiti Kievit një propozim për armëpushim. Orban dhe ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, mbërritën në Rusi në mesditë, në një vizitë që planifikon një takim me presidentin rus Vladimir Putin.

Mbërritëm në Moskë. Një hap tjetër për paqe!

Zyrtarët e BE-së mund të mos bien dakord. Një zyrtar i Bllokut i tha Radios Evropa e Lirë, REL se Orbani nuk e njoftoi Brukselin për ndonjë vizitë të planifikuar në Moskë ndërsa zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se “kryeministri hungarez Viktor Orban nuk ka marrë mandat nga Këshilli i Baskimit Europian për ta vizituar Moskën”.

Orban njihet si kritik i ndihmës së Perëndimit për Ukrainën në luftën kundër pushtuesit rus, si dhe ka marrëdhënie më të mira me Putinin se çdo lider europian. Kryeministri theksoi se fakti që Hungaria mban kryesimin e Baskimit Europian, nuk i jep atij mandatin që të drejtojë negociata në emër të bllokut.

Unë nuk kam nevojë për një mandat, sepse unë nuk përfaqësoj gjë, u shpreh Viktor Orban gjatë një interviste radiofonike të dhënë sot.

Një ditë para vizitës së Orbanit në kryeqytetin rus Moskë, Charles Michel, president i Këshillit Europian, shkroi në X se “drejtimi me rotacion i presidencës së Bashkimit Europian, nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të Bllokut”.

Këshilli Europian mbetet i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën, u shpreh Michel.

Në fillim të kësaj jave, Orban u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Kiev, ku i bëri thirrje atij që të shqyrtojë një marrëveshje për armëpushim për t’i dhënë fund më shpejt luftës me Rusinë.

Orban e vizitoi Rusinë në vitin 2022, por ai nuk u takua me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin. Megjithatë, ata u takuan në vende të tjera që prej asaj kohe.