“Europa duhet të rimendojë mbështetjen për Ukrainën nëse Donald Trump zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Kjo u deklarua sot nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian deri në fund të vitit. Orban u shpreh:
Kontinenti ynë nuk do të mund që ta përballojë vetë luftën.
Shefi i qeverisë hungareze kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe e ka bërë të qartë se Trump-i mban qëndrime të njëjta e se do të negocionte një zgjidhje paqësore. Ai përkrah ish-presidentin amerikan, kandidat i republikanëve për president në garën me zv.presidenten aktuale, Kamala Harris, kandidate e demokratëve për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Në Europë, ne duhet ta kuptojmë që nëse do të kemi një president pro-paqes në Amerikë dhe unë jo vetëm që besoj, por po shoh edhe shifrat në atë drejtim.. nëse ndodh ajo që presim dhe Amerika do të jetë pro-paqes, atëherë Europa nuk mund të jetë pro-luftës.
Ukraina do të jetë në krye të axhendës së liderëve europianë, të cilët takohen javën e ardhshme në kryeqytetin e Hungarisë Budapest.
Viktor Orban iu referua Komunitetit Politik Europian dhe një takimi tjetër më joformal të liderëve të Bashkimit Europian.
Europa nuk mund të mbajë vetëm barrën e luftës e nëse amerikanët i kthehen paqes, atëherë edhe ne duhet të adaptohemi e këtë do ta diskutojmë në Budapest.
Siç pritet, rezultati zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ketë një ndikim të madh për luftën në Ukrainë dhe sigurinë e të gjithë kontinentit europian. Kohët e fundit, Orban e ka zemëruar Brukselin zyrtar për shkak të lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe kundërshtimet e tij ndaj ndihmës për Ukrainën, vendit që përballet me pushtimin rus prej shkurtit të vitit 2022.
Korrikun e kaluar, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto tha se qeveria e sheh Trump-in si “mundësues të paqes” në Ukrainë. Po në korrik, Orban dhe ekipi i tij kanë ndihmuar atë të ish-presidentit Donald Trump rreth hartimit të politikave për familjen dhe emigrimin. Kryeministri hungarez e telefonoi republikanin para tre ditëve, për t’i uruar fat në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.