Aktualitet

Orar fleksibël pune për administratën, 22 ditë pune leja vjetore!

Qeveria i jep “ok”-ein vendimit mbi miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe pushimit, orët shtesë e kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet të pavaruara dhe njësitë e qeverisjes vendore. Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni:

Në bazë të këtij vendimi, parashikohet që kohëzgjatja ditore e punës mbetet e plotë, nga e hëna në të enjte, 8 orë e 30 minuta ndërsa ditën e premte, 6 orë. Punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin të nisin ditën e punës me herët e ta përfundojnë më herët ose ta nisin më vonë e të përfundojnë më vonë. Kjo duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë në zyrë nga një fashë orare 09:30 deri 15:30, nga e hëna në të enjte dhe 09:30 me 13:00, ditën e premte.

Pirdeni tregoi se nisma vjen në përgjigje të një sërë kërkesash që kanë marrë nga të gjithë punonjësit e administratës publike.

Me këtë ndryshim, garantohet më shumë fleksibilitet në lidhje me orarin e fillimit dhe përfundimit të kohëzgjatjes ditore të punës. Për t’iu garantuar atyre që duan të shoqërojnë fëmijët në shkollë, kopshte e çerdhe, një mjedis pune shumë më miqësor.

Ky vendim përcakton disa rregulla në lidhje me autoritetin përgjegjës për të vendosur në lidhje me akordimin e pushimeve vjetore. Kjo e drejtë mund të delegohet nga drejtuesi i institucionit ose nga Sekretari i Përgjithshëm te drejtori i Departamentit të Burimeve Njerëzore për të optimizuar edhe procesin e dhënies së lejeve.

Më 26 korrik të këtij viti, me shumicë të cilësuar, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin e Punës për të garantuar një element tjetër fleksibël në mënyrën si akordohet i gjithë procesi i pushimeve për të gjithë punonjësit e administratës publike e jo vetëm, edhe për sektorin privat.

Në ndryshimet e Kodit të Punës është hequr kufizimi sipas të cilit punonjësit e administratës publike nuk mund të merrnin leje vjetore në një kohëzgjatje më pak se një javë kalendarike dhe është përcaktuar shprehimisht që kohëzgjatja vjetore e pushimeve është 22 ditë pune, ku janë shtuar 2 ditë ekstra pushim për të gjithë punonjësit.