Të famshëm nga Priyanka Chopra te Kim Kardashian e deri te ish-kryeministri britanik, Tony Blair, ishin në Mumbai për dasmën e Anant Ambani dhe Radhika Merchant. Lista e të ftuarve përfshinte personazhe të profilit të lartë, teksa festa ka nisur shumë muaj më parë.
Ambani, 29 vjeç, është djali më i vogël i njeriut më të pasur të Azisë, Mukesh Ambani, i cili ka një pasuri prej 118 miliardë dollarësh. Merchant, 29 vjeç, është vajza e manjatit të farmacisë Viren Merchant dhe punon për kompaninë e tij, Encore Healthcare.
Kjo do të quhet edhe dasma e vitit, për shkak të luksit të tepërt. Jo vetëm çifti, por edhe disa nga të ftuarit morën dhurata të cilat tërhoqën vëmendjen e gjithë botës. Ambani falenderoi shokët e tij duke i dhuruar secilit orën Audemars Piguet me prodhim të kufizuar, ku secila vlen më shumë se 200,000 dollarë.
Ylli televiziv, Kim Kardashian, ishte një prej të ftuarave më të veçanta në dasmën përrallore në Indi. Ajo u shfaq e veshur me disa fustane të ndryshme, duk lënë pafjalë një publik mjaft të gjerë. Mirëpo disa ndjekës në rrjete sociale e kritikuan yllin televiziv për paraqitjen në të kuqe, jo një herë, por dy herë, gjatë dasmës treditore të trashëgimtarit indian, Anant Ambani me Radhika Merchant në Mumbai. Cila është arsyeja? Sipas fansave, ngjyra e kuqe zakonisht është rezervuar për nuset indiane.