Aktualitet Politikë

Opozita zyrtarizon Petro Gjikurinë si kandidatin e saj në Himarë!

Pasi bëri të ditur emrin, opozita zyrtarizoi kandidaturën e Petro Gjikurisë në zgjedhjet e 4 gushtit për Bashkinë e Himarës. Deputetja demokrate, Ina Zhupa bëri të ditur se Gjikuria është një qytetar model që siç tha, “ofron punë, zgjidhje, demokraci”.

Votohet për një kryebashkiak që do përfaqësojë me dinjitet kudo Himarën. Votohet për një model kundër korrupsionit, për një kryetar që nuk vjedh pronat e qytetarëve për pushtetin, për një kryetar që di të menaxhojë, për një kryetar që pret qytetarët si të barabartë, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësive të ndryshme. Më 4 gusht i japim përgjigjen e merituar rrëmbimit të mandatit të kryetarit të bashkisë, me të emëruar të pushtetit që kanë rrëmbyer pronat dhe që zyrën e vërtetë e kanë në qeli.

Edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, PBDNJ-ja e Vangjel Dules, si dhe OMONIA, konfirmuan kandidaturën e Petro Gjikurisë. Në një postim në rrjetet sociale, ai vetë ka shprehur objektivat që ka në garën për zgjedhje si kryetar i Bashkisë Himarë.

Më 4 gusht nuk votojmë për të zgjedhur kryeministër, votojmë për kryetar bashkie. Votojmë për të nesërmen e Himarës. Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës. E nesërmja për bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar.

Më 5 korrik, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi pavlefshmërinë e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit e cila e dënoi Belerin me dy vjet burgim, për korrupsion në zgjedhjet vendore të majit 2023.

I pranishëm në mbledhje, ai Beleri, ashtu dhe mbrojtësit e tij, mbështetën idenë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shprehej për këtë rast, pa një vendim të qeverisë që e shkarkonte nga detyra. Por, referuar Celibashit, vendimi mbështetet në të ashtuquajturin Ligj të Dekriminalizimit.

Me urgjencë, qeveria kërkoi nga presidenti shpalljen e zgjedhjeve të reja në Himarë. Po duke vepruar me shpejtësi, kreu i shtetit, Bajram Begaj dekretoi 4 gushtin si ditën e votimit. Kandidat i socialistëve do të jetë Vangjel Tavo.