Aktualitet Politikë

Opozita vijon mosbindjen civile në Kuvend!

Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare me momente tensioni që çuan në bllokim të foltores ndërsa jashtë sallës nuk lejohet hyrja e deputetëve demokratë të përjashtuar. Në shenjë proteste nga brenda parlamentit u morën dhe më pas u nxorën jashtë disa karrige që janë kthyer përmbys në pjesën ballore të godinës, poshtë shkallëve. Pranë tyre disa ligjvënës u ulën këmbëkryq për t’u çuar kur Flamur Noka nisi të jepte një deklaratë duke thënë se janë në një betejë pa kthim e vuri në dukje se përfaqësojnë popullin, në vijim të mosbindjes civile.

Shqipëria po qeveriset nga krimi i organizuar. Regjimi vazhdon t’i shpallë luftë opozitës. Policia drejtohet nga nipi i Enver Hoxhës. Jemi në kontakt me ndërkombëtarët. I kemi informuar për situatën dramatike.

Pas Nokës, fjalën e ka marrë Gazment Bardhi. Më herët, Flamur Noka, Dashnor Sula, Albana Vokshi e Asllan Dogjani u ndaluan nga efektivët e Gardës së Republikës, që kanë rritur praninë në dyert e Kuvendit, të përforcuar me një gardh metalik. Opozita ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mosbindja civile. Dy ditë më parë bllokoi për tre orë me radhë gjashtë akse kryesore të vendit.

Para selisë së parlamentit, kryetari i Grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi foli lidhur me problemin e minatorëve e informoi se nesër i dorëzojnë një projekt-ligj Kuvendit lidhur me statusin punonjësve të nëntokës. Bardhi u shpreh:

Dua t’ju informoj se pasi një pjesë e kolegëve pati mundësinë që t’i takonte minatorët dhe gjatë ditës së djeshme është firmosur projektligji për statusin e Minatorit e nesër do të dorëzohet zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, kërkesat e protestuesve që kanë disa javë që vijnë para parlamentit janë dëgjuar nga Grupi Parlamentar i PD-së e secila prej tyre është përkthyer në një projektligj të firmosur nga një pjesë e kolegëve.

Në një tjetër zhvillim, në lidhje me tensionet në Kuvend në seancat e kaluara, sot në SPAK u thirr deputetja demokrate Elda Hoti, e akuzuar për hedhjen e një lënde me erë të rëndë në sallën e parlamentit e që pati çuar në ndërprerje të punimeve të tij për disa minuta. Hoti u shpreh:

Sa herë i prishet qetësia Ramës dhe narkoparlamentit, vepron SPAKu. Deklarova atë që deklarova në parlament dhe është akuzë qesharake që merren me atë tension në parlament e nuk diskutohet për masakrën në Shkodër. Drejtësia duhet të shqetësohet për rrezikun që qytetarët kanë nga përplasja mes bandave. Drejtësia duhet të shqetësohet se si bandat vendosin drejtorët e policisë dhe kemi një drejtësi politike që po i kundërvihet qytetarëve shqiptarë.