Kryetari demokrat, Sali Berisha, reagoi në lidhje me fitoren e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale amerikane. Në një postim në rrjetet sociale, shkruan:
Donald Trump triumfoi!
Kombi i madh amerikan në zgjedhjet e tij më historike riktheu madhërishëm në Shtëpinë e Bardhë, President të 47-të të SHBA, Zotin Donald Trump.
Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre dhe rikthyen, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre.
Ata votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aleatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë.
Por qytetarët amerikanë votuan gjithashtu për shpëtimin e vendit të tyre dhe jo vetëm atij nga mafia më e rrezikshme e kohërave, mafia e George Soros.
Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër prej tre dekadash e Partisë Republikane, uroj përzemërsisht fitoren historike të Presidentit të 47-të të SHBA Donald Trump, kandidatëve të kësaj partie në drejtimin e Kongresit të SHBA dhe shpreh besimin se marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve dhe dy partive do të njohin zhvillime të shkëlqyera.
Zoti i bekoftë SHBA, kombin dhe Presidentin e tyre!
Një reagim edhe nga presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta:
Urimet më të përzemërta, në emrin tim dhe të Partisë së Lirisë, për Ju President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për këtë Fitore të Madhe dhe rikthim të merituar dhe me plot sakrifica të betejës Tuaj të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan.
Triumfi Juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi, shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit edhe për qytetarin e thjeshtë përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë.
Besimplotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën lidershipin Tuaj, Zoti President, do të vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar. Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të Partneritetit dypalësh Strategjik në fushën e sigurisë dhe në NATO dhe besoj se, nën drejtimin Tuaj, ne do t’i forcojmë këto lidhje dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interes të të dy vende dhe popujve tanë miq.