Aktualitet

Opozita shqiptare protestë para Parlamentit Evropian në Strasburg!

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike pritet të protestojë sot në Strasburg për disa çështje që lidhen me qeverinë e cila akuzohet për shkelje ligjore.

Shumica e deputetëve do të udhëtojnë sot drejt Strasburgut për të protestuar para Parlamentit Europian, në të njëjtën ditë kur PE mblidhet në seancë plenare.

Deputetët e PD-së pritet të ndahen në dy grupe. Njëri grup prej 5 apo 6 deputetësh do të hyjnë brenda PE për të zhvilluar takime njoftuese ndaj eurodeputetëve për t’i njoftuar ata sa i takon situatës në Shqipëri dhe shkeljeve ligjore, kushtetuese që ka bërë qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Burgosja e Salianjit, mosvotimi i PS për vendimin e GJK, lidhjet e qeverisë me krimin, korrupsioni janë disa nga çështjet e diskutimit në fokus të takimeve.

Po kështu, përveç këtij grupi, pjesa tjetër e deputetëve të shpalosin pankarta para Parlamentit Europian dhe të protestojnë për një kohë të caktuar për të tërhequr vëmendjen e europianëve për situatën në Shqipëri që ata e cilësojnë ngjizjen e një regjimi diktatorial.

Të martën grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka nisur dhe vizitën zyrtare në Parlamentin Evropian.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar sot me eurodeputetët Sandro Gozi dhe Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësues të grupit parlamentar “Renew Europe”.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ndër të tjerat shkruan se “është e paimagjinueshme për çdo mik europian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eliminuar zgjedhjet e lira”.

Informimi i plotë mbi situatën në Shqipëri ishte në fokus të bisedës, me dy mbështetës të të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Është e paimagjinueshme për çdo mik evropian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eliminuar zgjedhjet e lira, theksoi Bardhi.

Bardhi shtoi se, “Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ndërkohë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS, pushteti i kriminalizuar i Edi Ramës synon asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, duke na rikthyer 34 e më shumë vjet pas dhe duke vënë në pikëpyetje serioze demokracinë”.