Aktualitet Sociale

Opozita: Projektbuxheti i 2025-ës nuk adreson problematikat akute të shoqërisë!

Këshilltari i Çështjeve Ekonomike në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti deklaroi sot se “Projektbuxheti i 2025-ës nuk adreson problematikat akute të shoqërisë tonë, të shpopullimit, të varfërisë, të papunësisë, të rinisë dhe fuqisë punëtore që emigron, të sipërmarrjes që falimenton”. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Teliti iu referua si “tepsia e llokmave për qeveritarët dhe e thërrimeve për shqiptarët”. Ai akuzoi qeverinë se nuk parashikon asnjë reduktim të barrës fiskale, asnjë lehtësim procedural për ta. Sipas Telitit, “93 milion euro është kostoja shtesë e barrës fiskale për vitin e ardhshëm”.

Buxheti i vitit të ardhshëm, njësoj si çdo buxhet i këtyre 11 viteve, mund të përkufizohet si tepsia e llokmave për qeveritarët dhe e thërrimeve për shqiptarët.

Ndonëse jemi vendi me taksat më të larta në rajon, ndonëse taksimi progresiv i ka marrë frymën shoqërisë, ndonëse të gjitha grupet e interesit kanë kërkuar uljen e taksave e tatimeve dhe thjeshtimin e procedurave të komplikuara, përsëri këto thirrje vazhdojnë të bien në vesh të shurdhët.

Qeveria nuk parashikon asnjë reduktim të barrës fiskale, asnjë lehtësim procedural për ta. Përkundrazi, 93 milion euro është kostoja shtesë e barrës fiskale për vitin e ardhshëm.

2.9% e PBB-së do jetë financimi për shëndetësinë, 2.5% e PBB-së për arsimin. Të harruara mbeten premtimet e Edi Ramës 12 vite më parë, kur premtonte 5% për secilin nga këta dy sektorë. Fermerët tanë, që prej 11 vitesh i hedhin në kanale prodhimet, që vuajnë konkurrencën e mallrave të huaja, që paguajnë skemën vrastare të diferencimit të TVSH-së, dmth 20% kosto shtesë do të marrin shpërfillje edhe vitin e ardhshëm.

Sipas zyrtarit të opozitës, janë “62 mijë familje në ndihmë ekonomike që nuk marrin asnjë qindarkë”.