Aktualitet Politikë

Opozita në protestë, “për qeveri teknike për zgjedhje të lira”/Bllokim rrugësh!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se protesta e opozitës është etapa tjetër drejt fitores. Një natë më parë, ai u shpreh se nuk ka forcë në botë që t’i mposhtë në misionin për “rikthimin e votës së lirë, me qeveri teknike për zgjedhje të lira, për ndryshimin e pushtetit, për rikthimin në Shqipëri të lirive, të drejtave, dinjitetit të qytetarëve shqiptarë”.

Për rikthimin në Shqipëri të një drejtësie që qëndron në ligj e Kushtetutë dhe jo si organizatë kriminale e marrë peng nga Edi Rama. Me betejën tonë ne duam dhe do të arrijmë të kthejmë Shqipërinë në rrugën e integrimit, shpresës dhe rrugën e zhvillimit. Çdo demokrat duhet të bëjë gjithçka për t’i nxjerrë jetën këtij regjimi të pashpirt, për t’i marrë frymën, për t’i shkurtuar ditët dhe për të ecur të sigurt drejt fitores. Bllokimi i rrugëve, protesta, mosbindja civile e opozitës është kushtrimi i çdo qytetari.

Dje pasdite, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi seancën plenare të radhës, që zgjati vetëm 20 minuta, pasi me pankarta në duar, deputetët demokratë bllokuan foltoren e Kuvendit.  Në kushtet e një seance të tensionuar plenare nga veprimet penguese të opozitës, deputetët Lindita Buxheli,  Desantila Tahiraj, Erjon Braçe dhe Edona Bilali, diskutuan shkurtimisht problematikat e evidentuara nga takimet në zonat e tyre elektorale, lidhur me inputet bujqësore, sistemin shëndetësor, investimet në infrastrukturë, mamografinë falas për gratë, etj.

Diskutimet plenare në kuadër të “Javës së Gjelbër” zhvillohen një herë në muaj, në javën e fundit të çdo muaji. Në përfundim të seancës, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi u shpreh se deputetët do të lajmërohen me mjetet publike për mbledhjen e seancës së ardhshme.

Bllokimi i foltores nga deputetët e Partisë Demokratike vjen në vijim të aksionit të tyre për mosbindje civile të deklaruar që nga dënimi me burg i deputetit Ervin Salianji. Para disa seancave, më 30 shtator, ata iu vunë zjarrin karrigeve të Kuvendit pasi i nxorën në oborr ndërsa në seancat e tjera pati dhe konfrontime fizike mes deputetëve në sallë.

Pas përjashtimit të deputetëve për djegien e karrigeve, deputetët e mbetur të PD-së në seancë plenare kanë zgjedhur të bllokojnë foltoren me pankarta në duar. Në nisje të seancës, ishin marrë masa sigurie në rast të ndonjë përplasjeje tjetër.