Neymar iu nënshtrua ditën e djeshme ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e majtë teksa u dëmtua në ndeshjen e Brazilit ndaj Uruguait më datë 17 tetor. Ylli i “Selecaos” dëmtoi meniskun dhe ligamentin. Ishte doktori i kombëtares, Rodrigo Lasmar, ai që mori përsipër këtë ndërhyrje që në fund u cilësua e suksesshme.
31-vjeçari që sapo ishte transferuar në Arabinë Saudite tek Al-Hilal pritet të mungojë për një periudhë të konsiderueshme e cila varion nga gjashtë muaj deri në një vit. Me shumë gjasa, Neymar do të humbasë edhe Kupën e Amerikës, e cila zhvillohet në qershorin e vitit 2024 në Amerikë. Dëmtimet kanë qenë një problem i madh për Neymar në sezonet e fundit dhe nuk e kanë lejuar të shprehet lirisht në fushë.
Ndërkaq, Rodrigo Lasmar, mjeku i ekipit brazilian që kreu operacionin tha se:
Operacioni përfundoi me sukses. Jemi shumë të kënaqur me rezultatin. Ai kishte një problem në ligamentin e kryqëzuar të përparmë dhe dëmtimet e meniskut janë riparuar.
Rikujtojmë, se Neymar u bë së fundmi baba për herë të dytë. Ai mirëpriti në jetë, vajzën e tij me modelen Bruna Biancardi. Dyshja kanë vendosur që ta quajnë vogëlushen Mavie. Mesa duket, pasi vogëlushja ka lindur lidhja mes Neymar dhe Bruna Biancardi ka marrë fund. Lajmi për përfundimin e romancës vjen nga gazetari Thiago Sodré, nga ‘Correio Braziliense’. Sipas tij, mes të dyve tashmë ka vetëm një marrëdhënie për të rritur vajzën e tyre. Arsyeja e ndarjes thuhet se janë polemikat që ylli i futbollit dhe influencuesja patën gjatë marrëdhënies së tyre, të tilla si tradhtitë nga sulmuesi.