Izraeli po vijon sulmin e kufizuar tokësor kundër Hezbollahut duke shpallur “zonë të mbyllur ushtarake”, tre nga komunitetet e tij veriore. Kjo sinjalizon se së shpejti, më shumë forca mund të dërgohen në Liban për të luftuar militantët e mbështetur nga Irani. Objektivat gjenden në fshatrat pranë kufirit e që përbëjnë “kërcënim real për komunitetet në Izraelin verior”. Forcat ajrore dhe artileria po mbështesin ato tokësore me “sulme të sakta”.
Izraeli informoi Shtetet e Bashkuara për sulmet që u konsideruan “operacione të kufizuara, të përqëndruara në infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit”. Nuk ka njoftime për përplasje direkte mes trupave izraelite e militantëve të Hezbollahut në territorin libanez. Hera e fundit që Izraeli u angazhua në operacione tokësore kundër militantëve të Hezbollahut brenda Libanit ishte një luftë një mujore në vitin 2006.
Trupave tokësore izraelite në kufirin e Izraelit me Libanin, Yoav Gallant iu tha se mund të angazhohen në luftën kundër Hezbollahut. Ministri i Mbrojtjes shtoi se po vazhdon fushata ushtarake e Izraelit kundër Hezbollahut, pavarësisht vrasjes së Hassan Nasrallahut, liderit të grupit. Gallant e konsideroi “hap të rëndësishëm”, por “jo përfundimtar”.
Një diplomat perëndimor në Kajro të Egjiptit, vendi i të cilit është përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se një operacion tokësor izraelit në Liban pritet “së shpejti”. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, deklaroi se Izraeli i ka ndarë planet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e aleatët e tjerë perëndimorë, si dhe tregoi se operacioni do të jetë “i kufizuar”.
Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden bëri thirrje për një armëpushim mes njoftimeve se Izraeli po përgatitet të kryejë një operacion të kufizuar tokësor në Liban e që ka në shënjestër militantët e Hezbollahut.
Ne duhet të kemi një armëpushim tani.
Të paktën 95 persona u vranë dhe 172 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në rajonet jugore të Libanit, Luginën lindore Beka e Bejrut në 24 orët e fundit, siç raportoi sot Ministria libaneze e Shëndetësisë. Zyrtarët e këtij dikasteri theksuan se afro një mijë libanezë kanë humbur jetën dhe rreth gjashtë mijë të tjera janë plagosur në dy javët e fundit.