Aktualitet

Operacioni i SPAK-ut kundër krimit të organizuar, 8 të arrestuar në GJKKO!

Operacioni i fundit i SPAK-ut për goditjen e 7 grupeve të krimit të organizuar, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, po mbahet seanca e masës së sigurisë për 8 prej 20 të arrestuarve. Nga 50 urdhër-arreste, u ekzekutuan 20, 14 në Shqipëri e 6 jashtë vendit. 30 persona janë në kërkim, mes tyre ish-deputeti socialist, Arben Ndoka. U zbardhën katër vrasje dhe katër të tjera, të mbetura në tentativë. Po ashtu, u sekuestruan pasuri me vlerë mbi 4.5 milion euro.

Emrat e 8 të arrestuarve që sot do të njihen me masën e sigurisë:

Naim Stafuka

Armando Ndreca

Robert Laçi

Viktor Imeraj

Satilno Basho

Deivis Bajramaj

Drianto Bardhi

Miri Bruli

Konkretisht, dy urdhërarreste u ekzekutuan në Itali e po dy në Belgjikë, si dhe nga një në Gjermani e në Spanjë. Seanca nisi rreth orës 10:00, por me kërkesë të avokatëve që të njihen me aktet, u shty dhe rifilloi më 13:00.

Prokuroria e Posaçme, SPAK goditi grupin kriminal të Ervis Martinajt, i cili në aleancë me atë të drejtuar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe bashkëpunëtor me grupin e Avdylajve në Durrës, rekrutonin vrasës me pagesë e që kryesisht veprojnë në zonat e Fushë-Krujës e të Burrelit.  Gjithashtu, kishin kontaktuar Emiljano Shullazin për realizimin e vrasjes se Durim Bamit.

Nga hetimi u evidentua edhe përfshirja e katër punonjësve të policisë, dy prej tyre në role drejtuese gjatë vitit 2020. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri rezultoi se organizonte lojrat e fatit në këtë qytet dhe me Shefin e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme e Narkotikëve po në këtë drejtori, Klodjan Shahini, drejtonin kultivimin e kanabisit në kohën kur ishin pjesë e uniformave blu. Dy të tjerët kanë qenë efektivë të RENEA-s.

Si karakteristikë e grupeve kriminale veçohej dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga veprimet e tyre. Në raste të ndryshme, pjesëtarë të një grupi kriminal bashkëpunojnë me grupe të njohur si kundërshtarë të njëri-tjetrit. Goditja e tyre nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pasoi zbërthimin e aplikacioneve të koduara që përdornin për komunikim, në kuadër të asaj që njihet si dosja “Metamorfoza”.