Aktualitet

Operacione policore anti-kanabis në Shkodër, Mirditë, Krujë, mbi 3 mijë bimë të asgjësuara!

Një 54 vjeçar dhe nipi i tij 24 vjeç u vunë në pranga nga Policia e Shkodrës për kultivim kanabisi e armëmbajtje pa leje. Për të kundërshtuar asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella me dajën në banesën e këtij të fundit, i riu kërcënoi efektivët me armë zjarri, por u neutralizua. Gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “Postriba”, blutë asgjësuan 1 mijë e 300 bimë të dyshuara kanabis, të kultivuara nga dy të arrestuarit.

Në një tjetër operacion anti-kanabis, mbi 1 mijë e 600 fidanë u asgjësuan me anë të djegies te “Bjeshkët e Xhuxhës” në Mirditë.

Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, Policia e Lezhës ka vijuar kontrollet në çdo skaj të qarkut, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Në fazën e 18-të të këtij megaoperacioni, gjatë kontrolleve në zonën e quajtur “Bjeshkët e Xhuxhës”, njësia administrative Fan, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, gjetën në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, 1664 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Falë veprime të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i B. H., 55 vjeç, banues në Kurbin dhe I. C. 32 vjeç, banues në Krujë, të dyshuar si autorë të kultivimit të fidanëve në kubikë.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga struktura hetimore e Komisariatit të Policisë Lezhë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit A. K., 39 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është autor i kultivimit të 233 bimëve narkotike që u gjetën në malin e Shëngjinit dhe u asgjësuan në kuadër të fazës së 8-të të megaoperacionit, fazë e cila është zhvilluar më datë 31 maj 2023.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

362 bimë kanabis u asgjësuan në fshatrat Brret e Kroi i Madh në Krujë.

Vijojnë kontrollet dhe operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet faza e 19-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, nga Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me FNSH-në Tiranë.

Më parë si rezultat i fazave të mëparshme të këtij operacioni janë asgjësuar 9448 bimë narkotike kanabis sativa dhe 208 fara të dyshuara kanabis, të mbjella në kubikë.

Gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 19-të të megaopacionit, në fshatin Brret dhe në fshatin Kroi i Madh, Krujë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me FNSH Tiranë, u gjetën dhe u asgjësuan 362 bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa.

Strukturat hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Operacioni i kontrollit të territorit vijon.