Një shtetas amerikan ra në prangat e bluve të Tiranës pasi u kap në flagrancë me sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike). 32-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Shrooms” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njoftimi zyrtar:
Nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, finalizohet operacioni policor i koduar “Shrooms”. Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike). Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Shrooms”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi amerikan A.U., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në parkun e liqenit artificial të Tiranës, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Kërpudhat “magjike”, janë kërpudha të egra të cilat përmbajnë dy përbërës që janë cilësuar si psikoaktivë dhe një drogë haluçinogjene, të quajtura psilocybin e psilocin.
Në një tjetër zhvillim, në Berat, hetimet e kryera prej 1 muaji, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “Lidhjet”.
Të organizuar si grup, shitnin doza cannabisi në qytetin e Beratit, vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen një sasi cannabisi, e ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe disa fishekë arme gjahu dhe 4 celularë.
Si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve që kryhen vazhdimisht, në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, pas një muaji hetime me metoda proakive, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, finalizuan operacionin policor të koduar “Lidhjet”.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit H. A. (A.), 56 vjeç, A. A., 29 vjeç dhe E. A., 20 vjeç, përkatësisht babai dhe 2 djemtë e tij, si dhe shtetasi E. G., 38 vjeç, lidhje shoqërore e tyre, të gjithë banues në Berat.
Nga hetimet ka rezultuar se këta 4 shtetas, të organizuar si grup, shitnin doza cannabisi, në zona të ndryshme të qytetit të Beratit.
Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi një sasi cannabisi, të ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe disa fishekë arme gjahu që posedoheshin pa leje dhe 4 celularë.
Materialet procedruale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.