Bota

Operacion europian kundër krimit kibernetik, 4 në pranga!

Katër persona janë arrestuar në Ukrainë dhe në Armeni e më shumë se 100 servera në internet janë nxjerrë jashtë funksionit apo janë penguar gjatë një operacioni të madh që shënjestroi krimin ndërkombëtar kibernetik e që ka prekur mijëra njerëz. Kjo u bë e ditur sot nga Europol-i, që dha detaje:

Operacioni u krye në mes të datave 27 e 29 maj. Agjencia për zbatimin e ligjit e Bashkimit Europian tha se ky ishte “operacioni më i madh kundër botnet-ëve, që kanë luajtur rol të madh në vendosjen e ransomware apo softuerëve keqdashës, që kodojnë të dhënat.

Ndërkaq, termi botnet përdoret për t’iu referuar një rrjeti të ndërlidhur kompjuterësh e që hakerat përdorin për të përhapur viruse. Ky operacion kundër krimit kibernetik u nis dhe u drejtua nga Franca, Gjermania e gjithashtu Holanda. Në operacion u përfshinë disa shtete të tjera, mes tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe e Ukraina, siç dhe njoftoi Europol-i përmes një deklarate.

Ky operacion, sipas ministres së Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser, ishte “goditja më e rëndësishme” deri më tani ndaj krimit kibernetik. Gjatë tij, autoritetet kanë shkatërruar rrjetet përmes së cilave janë kryer sulme kibernetike në mbarë botën. Mijëra persona ishin viktima të këtij krimi kibernetik.

Një prej të dyshuarve kryesorë, sipas autoriteteve, kishte përfituar të paktën 69 milion euro në kriptovaluta, duke mundësuar përdorimin e infrastrukturës kriminale në internet për të kryer sulme kibernetike.

Europol-i bëri të ditur se një prej personave të dyshuar u arrestua në Armeni dhe tre të tjerë në Ukrainë, duke shtuar se më shumë se 2.000 domene tani janë nën kontrollin e kësaj agjencie.