Tech

OpenAI vonon ardhjen e zërave ‘joshës’ të asistentëve të ChatGPT!

Më shumë se një vit më parë, OpenAl prezantoi chatbot-in me Inteligjencë Artificiale (Al), ChatGPT, për iPhone dhe që nga ajo kohë vazhdimisht nxjerr përditësime për të përmirësuar përvojën e përdoruesve. Përditësimi më i fundit ju lejon ta përdorni ChatGPT-në teksa përdorni aplikacione të tjera.

ChatGPT tani ju lejon të flisni me të duke vepruar kështu si asistent digjital në telefonin tuaj, ndërsa jeni duke përdorur të tjera aplikacione. Së pari, duhet të siguroheni që chatbot-i juaj të jetë i përditësuar në versionin më të fundit. Pastaj klikoni në Settings të ChatGPT-së dhe më poshtë do të gjeni opsionin Background Conversations të cilin duhet ta aktivizoni.

Ndërkaq, ata që shpresonin të dëgjonin zërat joshës të asistentëve zanorë ChatGPT këtë verë, të cilat OpenAi njoftoi muajin e kaluar, do të duhet të presin ende. OpenAI tha se i duhet më shumë kohë për të “rregulluar” funksionin e tij “modaliteti i avancuar i zërit”. Ky funksion do të jetë i disponueshëm për një grup të vogël përdoruesish në mënyrë që kompania të marrë reagime, por pas kësaj do të arrijë të gjithë përdoruesit e ChatGPT që paguajnë një abonim.

“Jemi duke punuar në përmirësimin e aftësisë së modelit për të zbuluar dhe refuzuar përmbajtje të caktuara. Ne po përmirësojmë gjithashtu përvojën e përdoruesit dhe po përgatisim infrastrukturën tonë për miliona përdorues duke ruajtur përgjigjen në kohë reale”-thuhet në profilin e kompanisë në rrjetin social X.

Zërat kanë qenë pjesë e ChatGPT që nga viti 2023, por muajin e kaluar OpenAI tregoi një version të përmirësuar që dukej aq “njerëzor” sa u krahasua me zërin e Samantës, asistentja joshëse e zërit nga filmi “Her” (2013).
Rolin në film e ka luajtur aktorja e famshme Scarlett Johansson, e cila disa javë pas prezantimit akuzoi OpenAI-n se kopjoi zërin e saj, pavarësisht se nuk pranoi të jepte leje për të.

OpenAI pretendon se është ende duke menduar se kur do t’u ofrojë zërat e rinj abonentëve, por kjo do të ndodhë gjatë vjeshtës. Përveç zërave, është vonuar edhe ardhja e një funksioni që lejon asistentin zanor të përdorë kamerën e celularit për të “kuptuar” botën përreth përdoruesit.