Aktualitet

Onkologjiku, gjykata lë në fuqi masat e sigurisë/Mjekja e mërzitur me fotot e saj: Ishte Alketë tjetër në përgjime!

Dolën në përgjime duke bërë “pazare” me jetën e të sëmurëve me kancer, Gjykata Penale e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë për mjekët e Spitalit Onkologjik në QSUT, si dhe personat e tjerë e përfshirë në dosjen e hetuar nga Prokuroria.  Në përfundim të seancës gjyqësore, mjekja Alketa Pere, e cila më herët shprehu mërzinë me mediat se i kishin shtrembëruar fotot, tha se nuk ishte ajo në përgjime, por një Alketë tjetër. Ndërkaq, një farmacist, i përfshirë në skandal u distancua duke deklaruar se nuk njeh asnjë nga mjekët.

Nuk isha unë në ato mesazhe, por administratorja Alketa Ilo, tha mjekja.

Roli i farmacistit është humanist, nuk njoh asnjë person, nuk e njoh si mjek, tha farmacisti.

Me lënien në fuqi të masave do të thotë se mjeku Edmond Gashi, si dhe Florian Marku që ka në pronësi tre farmaci do të vijojnë të jenë në “Arrest shtëpie” ndërsa të tjerët në “Detyrim për paraqitje”. Me përjashtim të Markut që hetohet për fshehjen e të ardhurave, ndaj të tjerëve rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Masat e sigurisë: 

-Edmond Gashi, mjek onkolog “Arrest shtëpie” – Shpërdorim detyre

-Alketa Ymeri (Pere) mjeke onkologe “Detyrim paraqitjeje” –  Shpërdorim detyre

-Brikena Qirjazi zv.drejtoreshë e QSUT-së “Detyrim paraqitjeje” –  Shpërdorim detyre

– Emiljano Lela koordinator pranë Onkologjikut “Detyrim paraqitjeje” –  Shpërdorim detyre

-Drilona Kishta ish-specialiste pranë QSUNT-së me banim në Amerikë, “Detyrim Paraqitjeje”-  Shpërdorim detyre

-Halil Gashi, administrator i klinikës  Megis – “Detyrim paraqitjeje”

-Florian Marku administrator farmacie – “Arrest shtëpie”, – Fshehje e të ardhurave

Sa i përket mjekut Edmond Gashi, i cili hyri në gjykatë duke thënë se ka bërë punën e tij, pas 100 minutave seancë doli nga dera e pasme e godinës duke vrapuar, për të shmangur gazetarët.

Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”. Në përgjime, dolën duke iu mohuar pacientëve shërbimin në shtet dhe i drejtonin drejt privatit. Madje, edhe e vetmja aparaturë ajo e kobaltit e cila shërben për radioterapitë për pacientët me tumore mbahej e prishur me qëllim që ky shërbim të mos merrej në spital shtetëror, por në klinika private.

Klinika private “Megis” e mjekut Edmond Gashi që shërbente në Onkologjik është pezulluar deri në një moment të dytë. Sipas informacioneve, një familjar i një prokurori denoncoi e nisi hetimi.

Telefonat e mjekëve dhe koordinatorëve u mbajtën në vëzhgim për një kohë të gjatë. Rezultuan biseda dhe pazare të mirëfillta  si në shitjen e medikamenteve citostatike të kushtueshme e deri dhe për tarifat që merreshin për ndërhyrje kirurgjikale, nga 4 deri 5 mijë euro.

Këto pazare bëheshin duke llogaritur dhe destinacione të pushimeve luksoze, bazuar në bisedat e tyre  me mesazhe.