Sport

Olimpiada “Paris 2024”, sot garon Luiza Gega/Atletja: Do të jap maksimumin!

Në Lojërat Olimpike të Parisit, sot atletika shqiptare vazhdon me Luiza Gegën, e cila pritet të garojë në disiplinën 3000 metra me pengesa për femra duke nisur prej orës 10:20 minuta. Përmes një postimi paraprak në rrjetet sociale, rekordmenia tregoi për emocionet e kësaj gare. Luiza Gega shkruan:

Nesër (e diel, 4 gusht) është dita ime e garës ku unë do të garoj në baterinë e dytë, në orën 10:20 minuta. Nuk mund ta mohoj që emocionet në këtë aktivitet janë shume të mëdha dhe atmosfera është e jashtëzakonshme.

Nuk dua të mendoj çfarë ka ikur, nuk dua të mendoj se çfarë do të vijë. Thjesht di që do të përpiqem në maksimun për të bërë me të mirën e ta shijoj të qenurit Olympian, në maksimum, sepse nuk vjen shumë shpesh në jetë kjo ndjenjë.

Një ditë më parë, sprinteri Franko Burraj mbylli garën e dytë të 100 metrave në Olimpiadën e Parisit me kohën 10.66. 25-vjeçari nuk u kualifikua për në gjysmëfinale duke u renditur i parafundit në baterinë 4. Më parë, në baterinë paraeleminatore Burraj arriti 10.60 sekonda, koha më e mirë e tij.

Sa i përket Kosovës, ekipi i saj olimpik kthehet në atdhe me dy medalje nga nëntë të mundshme në Paris. Notarja Hana Beiqi dhe atletja Gresa Bakraçi ishin sportistet e fundit nga Kosova që garuan në Olimpiadë e nuk arritën të sigurojnë medalje. Por, ekipi prezantohet me dy të tilla: të argjendtë e të bronztë, të fituara në xhudo nga Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.

Ivan Litvinovich nga Bjellorusia u bë i pari sportist që fiton medaljen e artë në Lojërat Olimpike duke garuar si neutral. Litvinovich e siguroi në finalen e meshkujve në trampolinë. Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës e mbështetjes bjelloruse për Moskën, atletët nga Rusia e Bjellorusia, nuk mund të marrin pjesë në garat në ekip, por vetëm individualisht si neutralë.

Në një tjetër zhvillim të lidhur me Olimpiadën, cilësia e ujit të Senës ra përsëri, duke penguar stërvitjen për garën e përzier të ekipit të triatlonit të 5 gushtit në Lojërat Olimpike të Parisit. Reshjet e reja të ditëve të fundit e kanë bërë lumin të mos jetë sërish i sigurt për not. Të gjitha stërvitjet për garat individuale gjithashtu duhet të anulohen.