Sport

Olimpiada e Parisit, Shqipëria merr pjesë për herë të 10-të!

Ndërsa sot nis edicioni i 33-të i Lojërave Olimpike, “Paris 2024”, Shqipëria merr pjesë për herë të dhjetë në Olimpiadë. Ekipi kuqezi formohet nga tetë sportistë, katër nga të cilët e kanë siguruar kualifikimin me normë në bazë të perfomancës sportive dhe katër të tjerë shkojnë me ftesë.

Atletja Luiza Gega si dhe tre mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev e Chermen Valiev janë sportistët e Shqipërisë në “Paris 2024”, si të kualifikuar me normë. Ekipi shqiptar ka përfituar edhe katër ftesa për “Paris 2024”.  Kështu, me ftesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të konkurrojë Franko Burraj në atletikë, Greisi Koxhaku e Kaltra Meça në not, si dhe Manjola Konini në qitje sportive.

Nga kryeqyteti francez ku mori pjesë në Samitin e Sportit për Zhvillim, të mbajtur në prag të nisjes së Lojrave Olimpike, dje shefi i qeverisë, Edi Rama ndau foto nga pritja që iu rezervua. Në rrjetet sociale, shkroi:

Paris, Samiti i Sportit për Zhvillim, në vigjilje të Lojërave Olimpike.

Ceremonia do të nisë më 19:30 e pritet të zgjasë rreth 3 orë e 45 minuta. Organizatorët kanë premtuar ceremoni unike duke shfrytëzuar monumentet historike, si dhe qiellin, ujin e “nuk do të jetë asnjë urë të pashfrytëzuar për muzikë, kërcime e të tjera performanca”. Afro 80 ekranë gjigantë në Paris do të transmetojnë ceremoninë, ku priten edhe balerinë që do të performojnë në çatitë e ndërtesave pranë Senës.

Në ceremoni do të jenë mbi 80 udhëheqës shtetërorë e më shumë se 300 mijë spektatorë. Komiteti i Lojërave Olimpike raportoi se rreth 222 mijë persona i siguruan vendet falas, ndërsa 104 mijë u detyruan të blejnë bileta. U bë e ditur se anijet që do të transportojnë atletët janë të pajisura me kamera, për t’iu mundësuar spektatorëve që nga larg të mund të shohin gjithçka, sikur të ishin në brendësi të mjeteve lundruese.

Parisi është tashmë gati që shkëlqimin e Olimpiadës t’ia prezantojë botës, në ceremoninë e hapjes në lumin Sena, diçka plotësisht e re. Hera e parë që Lojërat Olimpike nuk do të nisin në stadium. 85 anije pritet të parakalojnë me rreth 7 mijë atletë, në një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë, në zemrën e kryeqytetit francez, Paris.