Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka thënë se marrëdhënia e saj me Zelensky është ‘në pauzë’ pasi ata nuk mund ta shohin njëri-tjetrin për periudha të gjata kohore për shkak të luftës. Ajo tha për ‘CNN’ se raporti me bashkëshortin, presidentin Volodymyr Zelensky, ishte ‘në pauzë’ pasi atyre u ndalohej të takoheshin duke marrë parasysh gjendjen e luftës.
Në një intervistë të transmetuar së fundmi, Olena Zelenska i tha Christiane Amanpour të ‘CNN’ se nuk i lejohet të shohë Zelensky-n shumë shpesh dhe kur e bën, është vetëm për një periudhë të shkurtër kohe. Ajo u shpreh:
Të paktën unë mund ta ndjej fizikisht pranë meje. Kjo nuk është normale. Nuk është një marrëdhënie normale kur fëmijët nuk mund ta shohin babanë e tyre dhe duhet të flasin me të në telefon. Kështu që marrëdhënia jonë është në pauzë ashtu siç është për të gjithë ukrainasit. Ne presim të bashkohemi, të jemi sërish bashkë, të kalojmë mbrëmjet së bashku, të flasim me fëmijët për gjërat e tyre.
Si Zelensky ashtu edhe bashkëshortaj e tij kanë refuzuar të largohen nga Ukraina që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt. Në dy muajt e parë të luftës, nuk janë takuar fare. Zelensky jeton në zyrën e tij së bashku me stafin, ndërsa Zelenska dhe dy fëmijët e tyre mbaheshin në një vend sekret.
Në intervistën e saj për ‘CNN’, Zelenska tha gjithashtu se lufta në vazhdim, që tashmë është larguar nga Kievi dhe është intensifikuar në rajonin lindor të Donbasit, kishte shkaktuar një dëm të madh në vend dhe se ajo aktualisht “nuk mund ta shohë fundin e vuajtjeve të tyre”.
Është shumë e vështirë të rezistosh për pesë muaj. Ne duhet të grumbullojmë forcën tonë, duhet të kursejmë energjinë tonë.
Olena Zelenska, e cila u martua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në 2003, foli për “Good Morning America” të ‘ABC News’ në një intervistë ekskluzive që u transmetua përpara 100 ditëve që kur Presidenti rus Vladimir Putin filloi një “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Zelenska, e cila ka qenë e fshehur që nga fillimi i pushtimit, tha se djali 9-vjeçar i çiftit e pyet vazhdimisht se kur do të përfundojë lufta.