Bota

OKB: Të rinjtë në Gazë shpresojnë të vriten që të marrë fund makthi i tyre!

Situata në Gazën e përfshirë nga lufta është aq dëshpëruese sa adoleshentët tani po thonë se shpresojnë që të vriten shpejt në mënyrë që t’i japin fund “makthit”, tha më 26 mars një zëdhënës i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për fëmijët.

“Kjo e pathënë thuhet vazhdimisht në Gazë”, tha James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijët, UNICEF.

Duke folur me gazetarët në Gjenevë përmes video-lidhjes nga Rafahu në jug të Gazës, ai tha se agjencia të hënën ka zhvilluar një takim me adoleshentët.

Disa prej tyre thanë se “ishin aq të dëshpëruar që ky makth të marrë fund sa që shpresojnë që të vriten”, tha ai.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Izraeli beson se afër 130 pengje po mbahen ende në Gazë, përfshirë edhe mbetjet mortore të 33 personave të vdekur.

Izraeli u kundërpërgjigj me sulme tokësore dhe ajrore në Gazë që kanë lënë të vrarë më shumë se 32.000 persona në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.

OKB-ja ka paralajmëruar se banorët në Gazë po përballen me uri, duke i bërë thirrje Izraelit që të hapë më shumë pikëkalime kufitare në mënyrë që të hyjë më shumë ndihmë dhe të mos pengojë lëvizjen e ndihmës përmes enklavës palestineze.

Izraelitët “kanë të drejtë të kontrollojnë. Ata inspektojnë çdo gram, litër, kilogram të gjithçka që hynë në Gazë”, tha Jens Laerke, zëdhënës i agjencisë humanitare të OKB-së.

Elder ndërkaq tha se izraelitët kanë refuzuar çerekun e 40 kërkesave të misionit të UNICEF-it për të vizituar veriun e Gazës që nga fillimi i këtij muaji.

Mbi 1 milion persona të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës janë zhvendosur në Rafah, për t’i ikur luftimeve në pjesë të tjera të enklavës. Rafah gjendet në jug të Rripit të Gazës, në kufi me Egjiptin, dhe Izraeli ka njoftuar se planifikon që të kryejë ofensivë tokësore në këtë vend.

Por, faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje Izraelit që të mos çojë përpara ofensivën e tij në Rafah, për shkak të shqetësimeve se një ofensivë e tillë mund të ketë pasoja të mëdha, duke pasur parasysh numrin e madh të cilëve që po strehohen atje.