Kombet e Bashkuara po japin alarmin, të shqetësuar se situata humanitare në Liban është më e keqe se gjatë luftës së fundit kundër Izraelit, 18 vjet më parë, pra në vitin 2006.
Situata humanitare në Liban i ka tejkaluar nivelet e ashpërsisë së luftës së 2006-ës, deklaroi sot Zyra e OKB-së për Ndihmën Urgjente (OCHA). Gjendja sërish është përshkallëzuar ditët e fundit. Ushtria izraelite po jep urdhra për zhvendosje të banorëve nga Baalbek-u e Nabatieh, pak para se të sulmohen këto pika.
Zyra e OKB-së ka vënë në dukje se përveç të vdekurve, situata është vështirësuar edhe nga “shkatërrimi i infrastrukturës kritike, përfshirë kujdesin shëndetësor, meqë shumë spitale janë të mbingarkuara e kanë nevoja urgjente për gjak”.
Vijon prej tetorit të vitit të kaluar, lufta aktuale mes Izraelit e Hezbollahut, grupit të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjera fuqi. I mbështetur nga Irani, Hezbollahu nisi të sulmonte Izraelin, në shenjë përkrahjeje ndaj aleatit palestinez Hamas, po ashtu të shpallur organizatë “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Më 7 tetor të vitit të kaluar, Hamasi kreu një sulm në jug të Izraelit duke vrarë mbi 1.200 vetë e duke marrë peng rreth 240 të tjerë. Më pas, shteti hebraik reagoi e filloi luftën intensive në Rripin e Gazës, me qëllim shkatërrimin e grupit.
Si pasojë e fushatës izraelite në Gaza janë vrarë më shumë se 43 mijë persona, shumica gra e fëmijë, referuar autoriteteve shëndetësore palestineze. Prej kohës së ofensivës së nisur nga Izraeli në Liban, në fillim të tetorit të kaluar, janë vrarë të paktën 2 mijë e 890 njerëz, referuar të dhënave të ofruara nga autoritetet libaneze.
Administrata amerikane ka paralajmëruar Teheranin se nuk do të mund ta ndalë Izraelin, nëse Irani kryen tjetër sulm kundër shtetit hebraik”. Kjo raportohet nga platforma Axios, duke cituar një zyrtar të SHBA-ve dhe një ish-zyrtar izraelit, në dijeni të zhvillimeve.
Pas sulmit të Iranit kundër Izraelit, më 1 tetor, si përgjigje ndaj vrasjeve të disa figurave të lidhura me Republikën Islamike në Lindjen e Mesme, izraelitët janë përgjigjur me sulme në pika ushtarake iraniane, ndonëse nuk kanë goditur zonat bërthamore apo ato për prodhimin e naftës, siç edhe frikësoheshin disa.