Bota

OKB: Përtej katastrofës situata humanitare në Gaza!

Situata humanitare në Rripin e Gazës është “përtej katastrofës” dhe paralajmërimi bëhet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB. Muajin e kaluar, më shumë se 1 milion persona nuk kanë pranuar asnjë vakt ushqimor në pjesën jugore e qendrore të Gazës përmes ndihmave humanitare, siç njofton zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, OKB-ja dhe organizatat e tjera humanitare po vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të ofruar ndihmë shpëtuese për palestinezët.

Në mesin e gushtit dhe deri në fund të muajit, 450 mijë vakte ushqimore, të përgatitura në 130 kuzhina, u janë ofruar çdo ditë familjeve në mbarë Rripin e Gazës.

Duhet të përsëritet se situata në Gazë vazhdon të jetë përtej katastrofës dhe ne ende nuk i kemi të gjitha kushtet e nevojshme për të mbështetur njerëzit, tha Dujarric.

Disa urdhra për evakuim janë lëshuar nga forcat izraelite, duke detyruar 70 kuzhina që të anulojnë shërbimet e tyre apo edhe të zhvendosen.

Për të dytin muaj me radhë, nuk ka pasur furnizime të mjaftueshme, që nënkupton se familjet në pjesën jugore dhe qendrore të Gazës kanë pranuar vetëm një racion ushqimor, raportojnë Kombet e Bashkuara.

Lufta në Gazë nisi e vijon prej 7 tetorit të vitit të kaluar, pasi grupi radikal palestinez Hamas, i shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona e rrëmbeu afro 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 40 mijë vetë ndërsa enkllava po përballet me krizë të rëndë humanitare.

Edhe dhuna në Bregun Perëndimor është rritur që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit. Shteti hebraik ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme në vitin 1967.

Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milion palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit ndërsa Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.