Bota

OKB, Koreja e Veriut mohon dërgimin e trupave në Rusi!

“Koreja e Veriut nuk ka dërguar ushtarë në Rusi për të ndihmuar Moskën në luftën me Ukrainën”. Kështu tha një nga përfaqësuesit e Phenianit në Kombet e Bashkuara, duke i cilësuar pretendimet e Seulit “thashetheme të pabaza”. Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut pati deklaruar se Veriu kreu dislokim të madh të trupave për të ndihmuar Rusinë, duke pretenduar se Pheniani dërgoi 1.500 pjesëtarë të forcave speciale për trajnime në Lindjen e Largët të Rusisë, që më pas të çohen për në vijat e frontit në luftën në Ukrainë.

Sa i përket të ashtuquajturit “bashkëpunim ushtarak” me Rusinë, delegacioni im nuk e ndjen të nevojshme të komentojë për këto thashetheme të pabaza, tha përfaqësuesi i Koresë së Veriut në një takim të një komiteti, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Pretendimet e Seulit synojnë njollosjen e imazhit të Koresë së Veriut dhe të minojnë raportet legjitime, miqësore e bashkëpunuese mes dy shteteve sovrane.

Pheniani dhe Moska janë aleatë që kur u krijua Koreja e Veriut pas Luftës së Dytë Botërore dhe dy shtetet u afruan akoma më shumë kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt 2022. Për një kohë të gjatë, Seuli dhe Uashingtoni kanë pretenduar se lideri komunist, Kim Jong Un, po dërgon armë që përdoren në Ukrainë.

Media shtetërore e Koresë së Veriut nuk ka komentuar lidhur me pretendimin e Jugut për dislokimin e trupave. As Rusia nuk ka komentuar por ka mbrojtur bashkëpunimin ushtarak që ka me Phenianin. Pasi Seuli thirri në takim ambasadorin rus në Korenë e Jugut për të shprehur shqetësimet, i dërguari tha se “bashkëpunimi mes Rusisë dhe Koresë së Veriut nuk është kundër interesave të sigurisë të Koresë së Jugut”.

As NATO-ja, as Shtetet e Bashkuara nuk kanë konfirmuar një dislokim të tillë por paralajmëruan se do të paraqiste përshkallëzim të rrezikshëm në luftën mes Rusisë e Ukrainës.

“Dëgjuam raportime se Koreja e Veriut ka dërguar forca dhe po përgatitet të dërgojë ushtarë shtesë në Ukrainë për të luftuar përkrahë Rusisë”, tha Robert Wood, ambasadori amerikan në OKB, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

Nëse këto raportime dalin të vërteta, atëherë do të paraqisnin një zhvillim të rrezikshëm, shqetësues dhe qartësisht thellim të bashkëpunimit ushtarak mes Koresë sëë Veriut dhe Rusisë, tha Wood.

Amerika dhe aleatët kanë shprehur shqetësim lidhur me ofrimin e armëve nga Koreja e Veriut për Rusinë. Agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se qeveria në Seul po shqyrton mundësinë që të dërgojë një ekip në Ukrainë për të monitoruar dislokimin e ushtarëve të Koresë së Jugut.

Në këtë ekip do të përfshihej personeli ushtarak nga divizionet e inteligjencës dhe ekipi do të analizonte strategjitë në fushëbetejë të Koresë së Veriut e do të përfshihej në marrjen në pyetje të të burgosurve të luftës. Po ashtu, kjo agjenci e lajmeve informoi se në llogaritë proruse në Telegram janë publikuar foto që shfaqin flamuj të Rusisë dhe Koresë së Veriut në fushëbetejën në Ukrainë.