Rritja e temperaturave duhet të nxisë “alarm të kuq” global, siç vë në dukje Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Motin dhe Klimën, pas rekordeve të thyera sërish muajin e kaluar. Përsëri, bota ka regjistruar rekord në temperaturat mesatare të gushtit, për herë të dytë radhazi, referuar të dhënave paraprake të një agjencie të Bashkimit Europian për Klimën.
Australia, Japonia, si dhe disa pjesë të Kinës e Norvegjisë kanë regjistruar gushtin më të nxehtë ndonjëherë në histori, sipas agjencive meteorologjike.
“Eshtë e qartë se temperaturat po rriten përtej asaj që do të dëshironim”, theksoi Celeste Saulo, një drejtuese e Organizatës Botërore të Meteorologjisë.
Kjo po ndodh sepse veprimi ynë nuk është i mjaftueshëm.
Ndonëse temperatura e saktë mesatare globale për këtë gusht nuk dihet, Shërbimi i Bashkimit Europian për Motin deklaroi se shifra do të jetë mbi rekordin e vitit të kaluar, 16.82 gradë Celcius. Saulo ka bërë thirrje për monitorim më të mirë e mbështetje të agjencive për motin, meqë beson se “duhen më shumë burime”.
E pranishme në një forum, bëri të ditur se “Singapori do të jetë qendër rajonale për monitorimin e ndotjes së shkaktuar nga zjarret e tokave të punuara dhe tymit”.
Duke qenë vetëm njëra prej dy qendrave të tilla në botë, kjo qendër do të ofrojë informacion më cilësor për zjarret dhe parashikimet lidhur me ndotjen.
Gratë do t’i vuajnë më së shumti valët e të nxehtit, pasi ngrohja e planetit do ta rrisë rrezikun për punën dhe të ardhurat e tyre, siç kanë paralajmëruar studiuesit. Sipas një raporti të përpiluar nga Adrienne Arsht, i nxehti nuk ndikon njësoj te të dyja gjinitë dhe është më i rrezikshëm për gratë, qofshin në shtëpi apo në vendin e punës.
Kjo organizatë joqeveritare me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka analizuar të dhënat në Indi, Nigeri dhe Amerikë, tha se i nxehti ekstrem mund të vrasë 204 mijë gra në vit.
I nxehti ekstrem është thellësisht brutal për gratë në gjithë botën, theksoi Kathy Baughman McLeod, drejtoreshë e Arsht-Rock.