Bota

OKB-ja dënon sulmet ndaj paqeruajtësve në Liban!

Vendet pjesëmarrëse në misionin e Kombeve të Bashkuara në Liban dënuan sulmet e fundit ndaj paqeruajtësve. Në një deklaratë kërkuan që ato të ndërpriten menjëherë. Dokumenti me nismëtar përfaqësuesin polak në Kombet e Bashkuara dhe të nënshkruar nga 40 shtete, vuri në dukje se Forcat e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) synojnë të sjellin stabilitet e paqe të qëndrueshme në jugun e territorit libanez, si dhe në Lindjen e Mesme.

Roli i UNIFIL-it është vendimtar, veçanërisht në dritën e situatës në rritje në rajon, thuhet aty.

Mes atyre që firmosën ishin edhe Britania e Madhe, Franca, Italia, Spanja dhe Kina, ndërsa Gjermania iu bashkua më vonë. Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah që përkrahet nga Irani kanë shkëmbyer zjarr në zonën kufitare që nga fillimi i luftës në Gazë, një vit më parë.

Misioni vëzhgues i OKB-së po monitoron zonën, me pjesëmarrjen e 10 mijë ushtarëve nga rreth 50 vende. Në ditët e fundit, ushtarë të OKB-së janë vrarë dhe plagosur në sulme të shumta.

Palët në konflikt duhet të respektojnë praninë e të ashtuquajturave “Helmetat Blu” dhe të sigurojnë sigurinë e tyre në çdo kohë, theksuan nënshkruesit e deklaratës, duke shtuar se “sulmet duhet të hetohen në mënyrën e përshtatshme”.

Sipas ushtrisë izraelite, milicia libaneze e Hezbollahut ka gjuajtur sërish me raketa në veri të Izraelit. Sirenat e alarmit ajror ranë në qytetin port të Haifës dhe në Akko. Pesë predha u kapën. Shërbimi izraelit i shpëtimit “Magen David Adom” tha fillimisht se nuk ka asnjë informacion për viktima. Hezbollahu mori përgjegjësinë për sulme të ndryshme në veri të Izraelit.

Sipas raportimeve ushtarake, brenda 24 orëve, forcat ajrore izraelite kanë sulmuar rreth 200 objektiva të Hezbollahut në zonat e thella të Libanit dhe në jug të vendit. Ushtria ka intensifikuar ndjeshëm fushatën e saj kundër milicisë Hezbollah që nga shtatori. Kjo përfshin sulme masive ajrore e një ofensivë tokësore në Liban.  Banorët kanë raportuar shkatërrime të mëdha në shumë qytete.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Izraeli i ka ngushtuar objektivat në përgjigjen e mundshme ndaj sulmit të fundit të Iranit me raketa, por që shumica u bllokua me sukses. Kështu raporton rrjeti televiziv amerikan NBC, duke përmendur mundësinë e shënjestrimit të instrastruktrës ushtarake e asaj të energjisë në Republikën Islamike.