Një sulm i ri me dronë në centralin e energjisë në Zaporizhja të Ukrainës ka rritur rrezikun për “një aksident të madh bërthamor”. Alarmin e dha Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. Rusia u shpreh se është Ukraina që qëndron pas atij sulmi, në të cilin u plagosën tre persona. Por, në anën tjetër, Kievi zyrtar i hedh poshtë këto pretendime duke mohuar çdo përfshirje.
Ky central bërthamor që kontrollohet prej Rusisë dhe ka gjashtë reaktorë është në vijën e frontit të konfliktit Rusi-Ukrainë. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ka paralajmëruar disa herë kundër sulmeve të tilla.
Shefi i kësaj agjencie të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi u shpreh se sulmi i dy ditëve më parë me dronë nuk ka qenë “ i matur” dhe e quajti “një përshkallëzim masiv të sigurisë bërthamore”.
Centrali në Zaporizhja, në jug të Ukrainës, është më i madhi në Europë. Forcat ruse e kanë marrë kontrollin e tij pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, e cila ka një ekip ekspertësh në Zaporizhja, e ka konfirmuar “ndikimin fizik të sulmeve me dronë” në central, përfshirë në njërin prej reaktorëve. Ndërkaq, administrata e instaluar prej Rusisë brenda centralit ka thënë se nivelet e rrezatimit janë normale e se nuk është shkaktuar dëm serioz.
Po ashtu, Rafael Grossi e ka përmendur që janë regjistruar të paktën “tre sulme direkte” në reaktorin kryesor e theksoi:
Kjo nuk duhet të ndodhte. Askush nuk mund të përfitojë diçka prej sulmeve në objekte bërthamore. Eshtë një JO e madhe.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022 e vazhdon me beteja të ashpra. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kërkom më shumë mbështetje ushtarake nga Perëndimi e ka apeluar për të tjera rekrutime, duke theksuar se duhen njerëz të trajnuar ushtarakisht, me përvojë në luftime.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar e denazistikuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.