Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut raportoi sot se gati 70% e viktimave që i ka verifikuar në luftën e Gazës janë gra dhe fëmijë duke vënë në dukje se e dënon shkeljen sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar. Gjetjet e Kombeve të Bashkuara, OKB mbulojnë shtatë muajt e parë të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Amerika dhe Bashkimin Europian në Rripin e Gazës, konflikt i cili nisi para më shumë se një viti.
Zyra e OKB-së verifikoi 8 mijë e 119 viktima gjatë shtatë muajve të parë të luftës. Por kjo shifër është jashtëzakonisht e ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të të vrarëve, mbi 43 mijë gjatë 13 muajve luftë, referuar Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Megjithatë, verifikimi i moshës dhe gjinisë së viktimave nga OKB-ja mbështet pohimet e palestinezëve se shumica e të vrarëve në luftë janë gra dhe fëmijë. Këto përfundime tregojnë edhe “për një shkelje sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar”, siç vuri në dukje zyra e OKB-së në një komunikatë.
Izraeli nuk i ka komentuar ende gjetjet e raportit me 32-faqe të Kombeve të Bashkuara. Ushtria izraelite që e nisi luftën në Gaza si përgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, pasi luftëtarët e Hamasit vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz në jug të Izraelit dhe rrëmbyen më shumë se 250 të tjerë, pretendon se gjatë sulmeve po kujdeset që të mos i dëmtojë civilët në Gaza. Për vrasjen e civilëve fajëson Hamasin, duke e akuzuar grupin radikal se i përdor qytetarët si mburojë njerëzore.
Hamasi i ka mohuar akuzat se i përdor civilët e infrastrukturën civile, përfshirë këtu spitalet, si mburoja njerëzore. Viktima më e re, vdekja e të cilit u verifikua nga vëzhguesit e OKB-së ishte një foshnjë djalë njëditësh. Më e moshuara që humbi jetën ka qenë një grua 97-vjeçe, siç edhe thuhet në raport. Në total, 44% e viktimave kanë qenë fëmijë.