Bota

OKB: Bota larg objektivit për luftën ndaj ndryshimeve klimatike!

Përpjekjet globale për të luftuar ndryshimet klimatike nuk janë në ritmin e duhur. Kështu theksohet në një vlerësim të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. OKB-ja i ka bërë këto deklarata pasi të dhënat e reja tregojnë se gazrat nga ngrohja janë duke u akumuluar në natyrë më shpejt se kurrë më parë në historinë e njerëzimit.

Planet aktuale kombëtare për t’i kufizuar emetimet e dioksidit të karbonit, vështirë se mund të ulin nivelin e ndotjes deri në vitin 2030, thuhet ndër të tjera në analizën e OKB-së, duke lënë pezull përpjekjet për të mbajtur temperaturën e Tokës nën 1.5 gradë Celcius.

Këto të dhëna janë publikuar teksa në një raport tjetër u vu se gazrat serrë janë rritur mbi 11% në dy dekadat e fundit dhe që përqëndrimet atmosferike janë rritur në nivel rekord gjatë vitit të kaluar. Po ashtu, studiuesit shprehen të shqetësuar se pyjet janë duke humbur aftësinë për të thithur dioksidin e karbonit, çka edhe mund të ketë kontribuuar në nivele rekord të gazrave në atmosferë.

Një agjenci e OKB-së, e angazhuar për të adresuar këtë çështje, ka analizuar planet shtetërore për të kufizuar dioksidin e karbonit në rreth 200 shtete. Ekspertët bëjnë thirrje që temperatura globale të mos rritet mbi 1.5 gradë Celcius, se sipas tyre, mund të ketë pasoja jashtëzakonisht të rrezikshme për njerëzimin.

Organizata Botërore e Meteorologjisë ka thënë se hera e fundit kur Toka ka pasur koncentrime të tilla të dioksidit të karbonit në atmosferë ka qenë 3 deri në 5 milion vjet më parë kur temperatura mesatare e planetit ka qenë 2-3 gradë më e ngrohtë se tani, si dhe nivelet e ujit kanë qenë 10-20 metra më të larta.

Sipas kësaj organizate, niveli i gazrave serrë ka prekur shifra rekorde më 2023-shin dhe shkaktare kanë qenë zjarret pyjore në Kanada e kushtet klimatike të diktuara nga fenomeni El Nino.