Bota

OKB: 110 milion njerëz të zhvendosur me forcë gjatë një viti!

Rreth 110 milion individë janë detyruar të largohen nga vendbanimet e tyre për shkak të konflikteve, persekutimit ose shkeljeve të të drejtave të njeriut. Kjo sipas Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Lufta e fundit në Sudan, duke zhvendosur gati 2 milion njerëz që nga prilli, i shtohet listës së gjerë të krizave që kontribuojnë në këtë numër të paprecedentë të individëve të zhvendosur. Filippo Grandi, i cili drejton agjencinë e refugjatëve të OKB-së, përpara publikimit të Raportit të Trendeve Globale të UNHCR-së për vitin 2022, tha:

Eshtë një tregues për gjendjen e botës sonë.

Vetëm vitin e kaluar, 19 milion njerëz të tjerë u zhvendosën me forcë, duke përfshirë më shumë se 11 milion që u larguan nga pushtimi i plotë rus i Ukrainë, në atë që u bë zhvendosja më e shpejtë dhe më e madhe e njerëzve që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne vazhdimisht ballafaqohemi me emergjenca.

Vitin e kaluar agjencia regjistroi 35 emergjenca, tre deri në katër herë më shumë se në vitet e mëparshme.

Pak nga këto ngjarje përfundojnë në titujt e mediave tuaja. Intensiteti i raportimit për luftën në Sudan ra pasi qytetarët perëndimorë u evakuuan.

Konfliktet në Republikën Demokratike të Kongos, në Etiopi dhe Mianmar ishin gjithashtu përgjegjëse për zhvendosjen e më shumë se 1 milion njerëzve brenda secilit vend vitin e kaluar.

Shumica e të zhvendosurve globalisht kanë kërkuar strehim brenda kufijve të kombit të tyre. Shumica e refugjatëve strehohen nga vende me të ardhura të ulëta e të mesme në Azi dhe Afrikë, jo vende të pasura në Europë apo Amerikën e Veriut.

Turqia pret më shumë refugjatë, me 3.8 milion njerëz, kryesisht sirianë që ikin nga lufta civile, e pasuar nga Irani me 3.4 milion, kryesisht afganë.

Por, ka edhe 5.7 milion refugjatë ukrainas të shpërndarë në disa vende në Europë dhe më gjerë. Numri i personave pa shtetësi është rritur gjithashtu në vitin 2022 në 4.4 milion, sipas të dhënave të UNHCR-së, por ky besohet të jetë një nënvlerësim.