Bota

OBSH: “Rritet numri i fëmijëve obezë në Europë!”

Organizata Botërore e Shëndetësisë konstaton se në muajt me masa kufizimi kundër koronavirusit fëmijët janë prekur më shumë nga obeziteti çka pritet të ndikojë te shëndeti i tyre në të ardhmen. Në një raport të publikuar sot, Zyra Europiane e OBSH-së arrin në përfundimin se mbyllja e shkollave dhe kufizimi i aktiviteteve mund të kenë pasur ndikim negativ për aktivitetet fizike të fëmijëve.

Hans Kluge, Drejtor për Europën në OBSH:

COVID-19 mund të përkeqësojë një nga tendencat më shqetësuese në rajonin europian, siç është rritja e obezitetit te fëmijët!

Obeziteti dhe pesha e tepërt janë të lidhura me simptoma më të rënda të koronavirusit dhe sëmundje kardiovaskulare, diabet e tumore.

Studimi thekson se gati një e treta e fëmijëve të moshave 6 deri në 9-vjeç rezultuan mbipeshë, në një sondazh të kryer në 36 shtete. Ky paralajmërim vjen në kohën kur disa studime të kryera nga Shtetet e Bashkuara e deri në Europë treguan se muajt me kufizime të pandemisë dhe masat e izolimit po ashtu ndikuan në shtimin e peshës te të rriturit.

Ndërsa shkalla e infektimit me COVID-19 po ulet dhe ajo e vaksinimit po rritet, shumë shtete të Bashkimit Europian kanë nisur të rihapen.