Bota Health & Beauty

OBSH ngre alarmin për fruthin!

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për shifra në rritje të të prekurve me fruth. Sipas raportimeve të fundit, 56 634 raste të fruthit dhe katër vdekje u raportuan zyrtarisht në 45 nga 53 vendet e Rajonit Evropian të OBSH-së në tre muajt e parë të vitit 2024. “Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme, edhe aty ku mbulimi i përgjithshëm i vaksinimit është i lartë, të vaksinojnë grupet vulnerabël, të mbulojnë boshllëqet e imunitetit dhe kështu të parandalojnë përhapjen e virusit në çdo komunitet”-tha Dr. Hans Henri P. Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Europën.

Fruthi është një sëmundje virale dhe një nga sëmundjet më ngjitëse në mbarë botën, që transmetohet me frymëmarrje, kollë ose teshtitje dhe mund të prekë çdo person të paimunizuar. Virusi mbetet aktiv dhe ngjitës në ajër ose në sipërfaqe të kontaminuara deri në 2 orë.

Së fundmi OBSH ka publikuar listën e baktereve më të rrezikshme, rezistentë ndaj antibiotikëve. Renditja përfshin 24 patogjenë, të cilët bëjnë pjesë në 15 familje të baktereve rezistente ndaj antibiotikëve (AMR). Rezistenca antimikrobike (AMR) ndodh kur bakteret, viruset dhe parazitët nuk reagojnë më ndaj ilaçeve, duke përkeqësuar sëmundjen dhe duke rritur rrezikun e vdekjes. AMR shkaktohet kryesisht nga përdorimi jo i duhur dhe i tepruar i antimikrobikëve.

OBSH liston ndër bakteret më të rrezikshëm, Acinetobacter, bacilet gram-negative dhe Mycobacterium tuberculosis rezistent ndaj antibiotikut rifampicin. Lista përfshin gjithashtu Enterobacterales dhe Enterobacteria. Lista e OBSH-së përfshin gjithashtu Neisseria gonorrhoeae dhe Enterococcus faecium, rezistente ndaj antibiotikëve të shumtë. Këto baktere kërkojnë vëmendje më të madhe, veçanërisht në popullatat vulnerabël, duke përfshirë popullatën pediatrike dhe të moshuar.