Bota

OBSH: I nxehti ekstrem vret më shumë se 175,000 njerëz në vit, në Evropë!

Nxehtësia ekstreme në baza vjetore çon në vdekjen e të paktën 175,000 njerëzve në Evropë, dhe kontinenti është ndër rajonet me ngrohjen më të shpejtë në botë, me temperatura që rriten rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Nxehtësia është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me klimën në rajon. Temperaturat ekstreme përkeqësojnë kushtet kronike, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes dhe cerebro-vaskulare, shëndetin mendor dhe gjendjet e lidhura me diabetin,” tha drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans-Henry P. Kluge.

Rajoni evropian i OBSH-së përfshin 53 vende në Evropë dhe Kaukaz, duke përfshirë vendet e Azisë Qendrore si Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani, transmeton “Politico”.

Vlerësimet e OBSH-së tregojnë se ka pasur afërsisht 489,000 vdekje të lidhura me nxehtësinë në mbarë botën çdo vit nga viti 2000 deri në vitin 2019.

Rajoni i Evropës përbënte 36 për qind të atyre vdekjeve, ose mesatarisht 176,040 çdo vit. Sipas raporteve, numri i vdekjeve nga nxehtësia në rajon është rritur me rreth 30 për qind në dy dekadat e fundit.

Kluge u bëri thirrje vendeve evropiane të zhvillojnë plane për t’u marrë me këtë situatë, të cilat janë “një proces kyç përshtatjeje” për t’i bërë komunitetet më elastike ndaj valëve të të nxehtit.

Aktualisht, më shumë se 20 vende në rajon kanë plane të ngjashme, por kjo “nuk mjafton për të mbrojtur të gjitha komunitetet”, paralajmëroi Kluge.