Rajoni

O’Brien: Themelimi i Asociacionit, hap i rëndësishëm!

Për Televizionin Publik Serb, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha  se kërkon të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në intervistën për RTS-në, O’Brien theksoi se sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Në këtë drejtim, zyrtari amerikan deklaroi se në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës duhet që të kalojë një draft-statut për Asociacionin.

Zyrtari i lartë amerikan shtoi edhe se duhet të ketë “diskutim më të gjerë lidhur me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë”.

Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Eshtë e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Eshtë e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin e në të gjitha këto, të punojmë njëkohësisht. Detyrimet ekzistojnë që nga viti 2015 kur u nënshkrua [marrëveshja për Asociacionin]. Nuk mund t’ju ofroj afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë si qytetarët europianë.

Që nga viti 2013, Kosova dhe Serbia ranë dakord për themelimin e Asociacionit. Më 2015-ën u arrit edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni. Por, marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë. Kosova ka shprehur frikën se një asociacion i tillë njëetnik mund të ndikojë në funksionimin e shtetit.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime në veriun e banuar me shumicë serbe, përfshirë mbylljen e disa institucioneve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë. Faktori ndërkombëtar, përfshirë SHBA-të i kanë cilësuar këto veprime si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

O’Brien vuri në dukje se për moskoordinim të veprimeve të Prishtinës me Uashingtonin “ka pasoja dhe pasoja më e madhe ishte që shtetet në Europë nuk mundësuan pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. E gjithë kjo për shkak të moskoordinimit”.

Zyrtari amerikan përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikëkalimit kufitar në Merdarë për mallrat serbe, ndalesë që ishte vendosur në korrik të vitit të kaluar. Më 20 tetor, O’Brien qëndroi në Serbi ku takoi presidentin serb, Aleksander Vuçiç. Raportohet se sot, ai do të qëndrojë në Kosovë.