Aktualitet Politikë

“O bandit, të të vijë turp…”- Tensione dhe dhunë gjatë tubimit të opozitës para bashkisë së Tiranës!

Edhe këtë të martë opozita është mbledhur para Bashkisë së Tiranës, ku përveç vezëve dhe fruta perimeve, sot janë shtuar edhe gomat. Këtyre të fundit përfaqësues dhe mbështetës të opozitës i kanë vënë flakën, në shenjë revolte.

Situata para Bashkisë së Tiranës është tensionuar ndërkohë që përfaqësues të opozitës po mbanin fjalime.

Militantët e dhunshëm të opozitës kanë “harruar” molotovët sot dhe në vend të tyre kanë djegur goma të përdorura para godinës së Bashkisë së Tiranës, duke rikthyer edhe një herë situatat te zona e Astirit, kur bllokonin rrugën dhe trafikun e gjithë qytetit.

Rreth 30 personat që morën pjesë sot në protestë, kanë bllokuar qarkullimin për rreth 300 mijë mjete që lëvizin në Tiranë, duke djegur goma.

Gjithashtu janë hedhur tymuese gjatë protestës së opozitës para Bashkisë Tiranë në momentin që po fliste ish-deputeti i PD-së Belind Këlliçi.

Efektivët e policisë kanë tentuar të shmangin ndezjen e gomave para Bashkisë Tiranë gjatë tubimit të opozitës duke i larguar me fikse zjarri.

Në atë moment, pluhuri nga fiksja e zjarrit ra mbi protesuesit që ndodheshin para godinës, ndërsa ka sjellë reagimin e Belind Këlliçit, i cili po mbante fjalën.

Ai iu drejtua efektivit që tentoi të largonte protestuesit me fikse zjarri duke e quajtur “bandit”, ndërsa shtoi “të të vijë turp”.

“O polic ty ajo kokorja të bën më shumë se rroga që ke. Të të vij zor dhe të turp se kjo protestë bëhet edhe për ty, për fytyrën tënde. Mos u fshih aty, nxirre fytyrën hajde këtu dhe merre mikrofonin. Bandit, bandit”, i drejtohet Këlliçi një prej efektivëve.

Ndërkohë raportohet se edhe një efektiv policie ka mbetur i lënduar në pjesën e syrit.