Amerikanët e bënë zgjedhjen duke votuar mes demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, dy kandidatë me pikëpamje të ndryshme mbi të ardhmen e fuqisë më të madhe ekonomike e ushtarake në botë. Votat po numërohen dhe republikani i cili synon mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë ka arsye të ndihet i qetë. Tashmë që fitoi edhe në shtetin e Xhorxhias, ka 247 vota elektorale pasi doli i pari në 24 shtete kur duhen të paktën 270 vota elektorale për të fituar presidencën. Zv.presidentja Harris ka siguruar 214 të tilla. NYT përllogariti 95% mundësi fitoreje për Trump-in.
Të qetë e të lumtur janë edhe republikanët që presin fjalimin e Trump-it. Mediat amerikane raportojnë se pasi la mjediset e rezidencës së tij në Mar-a-Lago i është drejtuar qendrës ku do të flasë para mbështetësve në Palm Beach.
Po ashtu Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, u rizgjodh për një mandat të pestë në Dhomën e Përfaqësuesve. Johnson u bë kryetar pak më shumë se një vit më parë pasi tetë republikanë u bashkuan me demokratët për largimin e Kevin McCarthy-it nga kjo detyrë.
Ai trashëgoi shumë nga të njëjtat probleme me të cilat u përball pararendësi i tij kur bëhet fjalë për unifikimin e ligjvënësve dhe iu desh të mbështetej në votat e demokratëve për ta mbajtur të hapur qeverinë federale e pati nevojë për ndihmën e tyre për të parandaluar atë lloj rebelimi që rrëzoi nga detyra McCarthy-n.
Edhe udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Hakeem Jeffries u rizgjodh për një mandat të shtatë. Ai pasoi Nancy Pelosin si drejtues i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi republikanët fituan kontrollin e dhomës në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022 dhe demokratët kërkuan një ndryshim brezash në drejtim.
Ndërkaq, në Florida u rrëzua amendamenti kushtetues për të mbrojtur të drejtën e abortin. Një masë që do të kishte mbrojtur të drejtën e abortit në kushtetutën e shtetit të Floridas dështoi të martën pasi nuk arriti pragun prej 60% për të kaluar. Refuzimi i këtij propozimi e bën Floridan shtetin e parë ku një masë për mbrojtjen e të drejtës për abort dështoi, pasi u rrëzua në vitin 2022 vendimi Roe kundër Wade që garantonte të drejtën e abortit në nivel federal.