Një shpatë që besohet se i përkiste një kryqtari i cili po lundronte drejt Tokës së Shenjtë thuajse 1000 vite më parë, është nxjerrë nga thellësitë e Detit Mesdhe, falë syrit të mprehtë të një zhytësi amator. Lajmin e konfirmoi Autoriteti Izraelit i Antikiteteve.
E mbështjellë plotësisht nga guaska dhe organizma të tjerë detarë, shpata një metër e gjatë u dallua për shkak të rrymave të forta që kishin larguar rërën me të cilën kishte qëndruar e mbuluar për një kohë të gjatë.
Yaakov Sharvit, drejtori i Njësisë Detare të Autoritetit të Antikiteteve, tha se vendndodhja, një shpellë pranë portit të Haifas në Izrael, la të kuptohej se zona kishte shërbyer si strehë për detarët e asaj periudhe.
Shpata është shumë e rëndë. Mendoj se kryqtari që e ka pasur ka qenë në formë të mirë fizike dhe më trupmadh sesa mesatarja e sotme.
Shpata, që besohet se është 900-vjeçare, pasi të pastrohet e restaurohet do të ekspozohet në muze. Ndërkaq, së fundmi ju rikujtojmë se një tualet luksoz 2700-vjeçar është zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike në një vend në Jerusalem, ku dikur ngrihej një vilë mbretërore.
Tualeti u zbulua në rrënojat e godinës së vendosur në një kodër që sheh për nga siti arkeologjik i Qytetit të Davidit, në Malin e Tempullit, sipas një deklarate për mediat lëshuar nga Autoriteti Izraelit i Antikuarëve.
E gjithë prona ka qenë e banuar në epokën e mbretërve izraelitë, para se Izraeli të shtypej nga Asirianët. I punuar në gur gëlqeror, tualeti është në fakt një kabinë në formë kuboidi, i vendosur mbi një gropë septike.