Bota

Nxehtësi rekord në Itali e në Spanjë/23 qytete me të kuqe në shtetin italian!

Në të gjithë Italinë fqinje me Shqipërinë po intensifikohet vala e të nxehtit dhe numri i qyteteve të shënuara me të kuqe nga Ministria e Shëndetësisë shkoi në 23, çka tregon nivelin maksimal të rrezikut për popullsinë. Dje në një ditë rekord, termometri shënoi mbi 42 gradë në Romë e kjo gjë nuk kishte ndodhur më parë.

Kështu u tejkalua rekordi i vendosur në verën e vitit 1983.

Në Siçili, temperatura arriti kulmin prej 47 gradësh, ndërsa në Sardenja, 46. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, “bota duhet të përgatitet për t’u përballur me valët gjithnjë e me më shumë nxehtësi intensive”.

Qytetet e shënuara me pikën e kuqe për shkak të emergjencës së nxehtësisë në Itali janë Ancona, Bologna, Brescia, Cagliari, Campobasso, Firence, Frosinone, Latina, Messina, Napoli, Palermo, Perugia, Pescara, Rieti, Roma, Trieste, Venecia, Verona, Viterbo, Bari, Catania, Civitavecchia e Torino.

Me portokalli do të jenë vetëm Milano e Reggio Calabria, ndërsa me të verdhë Bolzano (pas dy ditësh me pika të kuqe) e Genoa. Për shkak të temperaturave tepër të larta, në kryeqytetin italian Romë ka dhe një rekord të konsumit të energjisë elektrike pasi njerëzit hapin kondicionerët.

Në një tjetër vend europian, në Spanjë, kulmi i valës së tretë të të nxehtit të verës i bëri vendasit dhe turistët “të shkrihen”. Në një kafene në Madrid, një turiste meksikane me emrin Elsa shprehet se ajo është mësuar me vapën, por se “tani është shumë e vështirë”, pasi nuk fryn erë në kryeqytetin spanjoll.

Nuk ishte Madridi që u godit më keq, probleme edhe për destinacionin e njohur turistik të Majorkas. Nivele të ndryshme të alarmit të nxehtësisë u aplikuan në 13 nga 17 komunitetet autonome të Spanjës.

Shumë spanjollë i shohin me zili banorët e rajonit të Cantabria-s në veri, ku temperaturat vetëm pak mbi 20 gradë u regjistruan dje. Vala e të nxehtit pritet të përfundojë nesër.