Kuzhinieri i famshëm turk, Nusret, i njohur ndryshe si Salt Bae ka çelur sezonin e tij veror në ishullin turistik luksoz Mykonos. Sipas mediave vendase, restoranti i tij i ri, i cili fokusohet ekskluzivisht tek hamburgerët, duket se nuk ka pasur një hapje të suksesshme. Deri tani klientët numërohen me gishta dhe atmosfera nuk është si në sezonin e kaluar.
Nusret, i cili është shumë i aftë në marketingun dhe promovimin e imazhit të tij, ka nisur menjëherë të ndryshojë strategji për të afruar klientët. Ai ka servirur një menu surprizë prej 28 eurosh, ofertë e cila do të jetë për disa ditë. Nusret tashmë ka filluar të postojë foto dhe video në rrjetet sociale, por sipas një klienti që shkoi kohët e fundit, në restorant kishte rreth dhjetë njerëz në orën nëntë të mbrëmjes. Klienti tha se i duhet shumë punë për të mbushur sipërmarrjen e tij të re.
Rikujtojmë, se restoranti i tij në Londër është kritikuar nga klientët që e kanë vlerësuar atë si një nga vendet më të këqija për të ngrënë në kryeqytetin britanik, sipas Tripadvisor. Sipas mediave të huaja, “Steakhouse Nusr-Et”, që hapi dyert e tij në Knightbridge disa muaj më parë, është goditur nga një numër kritikash të këqija në internet në Tripadvisor. Madje aty, siç bëhet e ditur më tej, ai renditet në vendin e 17,418 nga 17,488 restorante në Londër.
Nusret është një nga kuzhinerët më të famshëm në botë për shkak të stilit të tij të veçantë të hedhjes së kripës dhe përgatitjen e biftekut të shijshëm. Gokçe së fundmi u padit nga punonjësit e tij për punë jashtë orarit dhe për paga të vogla. Kuzhinieri turk, i cili është pronari i një rrjeti restorantesh në disa vende të botës, akuzohet se ka detyruar punonjësit që të punojnë më shumë.