Aktualitet

Numri i shtuar i turistëve, policia e fokusuar te këshillimi dhe ndihma!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, zhvilloi një takim me strukturat drejtuese të 12 drejtorive vendore në qarqe, ku kërkoi përmirësimin e standardit të shërbimit policor, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.

Rrumbullaku u shpreh se drejtoritë vendore duhet të forcojnë dhe përmirësojnë shërbimet në terren për të përballuar numrin e shtuar të turistëve, për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj tyre, si dhe për të parandaluar e zbuluar ngjarjet kriminale.

Çdo shkelje e etikës nga punonjësit e policisë, në kontakt me turistët, nuk do të trajtohet vetëm si një përgjegjësi individuale, por edhe si një përgjegjësi e drejtuesve përkatës. Policia e Shtetit nuk është një strukturë për vendosjen e gjobave dhe vjeljen e tyre, por është në shërbim të qytetarëve, vendas dhe të huaj, duke dëshmuar etikë dhe profesionalizëm. Këshillimi dhe ndihma për qytetarët duhet të jenë parësore në punën e punonjësit të policisë, theksoi kryepolici Rrumbullaku.

Gjithashtu, ai kërkoi nga drejtuesit vendorë të policisë marrjen e masave për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, me një fokus të veçantë te lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike dhe vendosja përpara drejtësisë e personave në kërkim.

6 mjete lundruese ka bllokuar Policia Kufitare nga Ksamili në Velipojë. Eshtë fjala për 12 jet ski, dy skafe dhe dy gomone. Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, efektivët e policisë kanë ndëshkuar me masa administrative edhe drejtuesit me nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë, kryesisht për mungesë dokumentacioni.

Njoftimi zyrtar: 

Departamenti i Policisë Kufitare/Angazhim maksimal i shërbimeve të Policisë Kufitare dhe i atyre të Njësisë Policore Detare, për sigurinë e pushuesve.

Përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka bllokuar 16 mjete lundruese.

Mjetet e bllokuara: 12 jet ski, 2 skafë dhe 2 gomone.

7 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 7 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin dhe 2 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.

6 prej mjeteve lundruese të bllokuara, janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve.  Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili, me masë administrative 100 000 lekë.

Drejtuesit e 10 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili, me masa administrative 10 000 – 20 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.