Aktualitet

Numri i aksidenteve rrugore ra me 12.9% më 2023-shin!

Vitin e kaluar, numri i aksidenteve rrugore shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve me leje drejtimi 0-3 vjet ka rënë me 12.9%, krahasuar me një vit më parë, pra 2022-shin. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin mbi aksidentet për vitin 2023.

Drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vite leje drejtimi kanë shkaktuar 40% të aksidenteve, ndjekur nga kategoria 6-9 vjet leje drejtimi që zë 18.8%. Ndër të aksidentuarit (të vrarë dhe të plagosur) gjatë tre viteve të fundit, meshkujt zënë rreth 70% të të aksidentuarve gjithsej.

Drejtuesit e mjeteve të moshës 25-34 vjeç, shkaktojnë numrin më të lartë të aksidenteve, ku të aksidentuar janë më shumë meshkuj 71% dhe 29% femra. Megjithatë vihet re se janë meshkujt ata që zënë përqindjen më të lartë të të aksidentuarve për çdo grupmoshë të drejtuesit, duke lënë të kuptojmë se drejtuesit meshkuj janë ata që kryejnë pjesën më të madhe të aksidenteve rrugore.

Në 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së shtunë dhe të diel me 194 aksidente secila, duke zënë përkatësisht 15,1% të aksidenteve gjithsej. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë intervalit kohor 08:00 – 12:00.

Neni 290, Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor:

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar plagosjen e rëndë të një personi, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen e një personi, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim nga pesë deri në njëzet vjet.

Neni 291, Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt:

Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim nga dhjetë ditë deri në tre vjet. Gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit.