Aktualitet

“Nuk u bë konsultim publik, sjell paqartësi dhe pasiguri”- Begaj i kthen Kuvendit ligjin “Për Inspektimin”!

Presidenti Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Dekreti që mban datën 10 tetor 2024 është futur tashmë në procedurë parlamentare për t’u shqyrtuar fillimisht në komision dhe më pas në seancë.

Në argumentet e tij, Presidenti shkruan se ndryshimi i 68 neneve nuk i është nënshtruar procedurës së rregullt që parashikon Rregullorja e Kuvendit.

 “Për këto 68 ligje nuk ka nismë ligjbërëse formale, nuk ka regjistrim të projektligjeve në programin e punës së Kuvendit, nuk ka konsultim publik, nuk ka procedurë të veçantë  shqyrtimi, nuk ka mendim të shprehur nga ekzekutivi për secilin prej ligjeve, nuk ka analizë të kostos financiare dhe deklarim nga qeveria që pranon mbulimin e kostove financiare për secilin prej tyre si dhe nuk ka raporte të veçanta vlerësimi nga komisionet përgjegjëse të Kuvendit sipas fushave që mbulojnë 68 ligjet e sipërpërmendura”, thuhet në dekret.

Presidenti vlerëson se bashkimi mekanik i disa ligjeve me natyrë dhe objekt të ndryshëm në një ligj të vetëm shkakton konfuzion, mbjell paqartësi dhe sjell pasiguri.