Bota

Nuk ndalet ofensiva izraelite, luftime të ashpra në Gaza!

Forcat izraelite nuk i ndalin sulmet në Gaza ndërsa tanket kanë avancuar në qendër të qytetit nga drejtime të ndryshme. Banorët thanë se këto janë ndër luftimet më të ashpra që nga 7 tetori 2023 kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Shërbimi i Emergjencave Civile në Gaza tha se beson që dhjetëra persona janë vrarë, por ekipet nuk kanë qenë në gjendje të shkojnë te viktimat e kjo për shkak të ofensivave që po vazhdojnë në Daraxh e në Tufa në lindje, si dhe në Tel Al-Hava, Sabra e Rimal, në perëndim.

Deri tani, tanket izraelite ishin stacionuar në disa zona në Tel Al-Hava e Sabra, por nuk kishin përparuar thellë në tri qarqet e tjera, të cilat sipas banorëve, u bombarduan gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm. Banorët raportuan se disa ndërtesa janë shkatërruar.

Ushtria izraelite theksoi se po intensifikon operacionet kundër infrastrukturës së Hamasit në Rripin e Gazës, duke shtuar se ka ndërmarrë veprime ndaj më shumë se 30 luftëtarëve që paraqisnin kërcënim për trupat izraelite.

Ofensiva e re izraelite vjen në kohën kur Egjipti, Katari dhe SHBA-të kanë intensifikuar përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit e Hamasit në luftën në Gaza e që ka hyrë në muajin e dhjetë.

Lufta nisi pasi më 7 tetor, Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afro 1 mijë e 200 persona dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës ajrore, detare dhe tokësore të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 38 mijë palestinezë.

Shpresa është rritur në mesin e palestinezëve në Gaza për një pauzë të luftimeve, pasi Hamasi pranoi një pjesë kyçe të propozimit amerikan për armëpushim, duke nxitur zyrtarët e ekipit negociator izraelit të thonë se ka shanse reale për arritjen e një armëpushimi.

Hamasi hoqi dorë nga kërkesa që fillimisht Izraeli të zotohet për një armëpushim të përhershëm, para se të nënshkruajë një marrëveshje. Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se marrëveshja nuk e ndalon shtetin hebraik që të rinisë luftimet derisa të plotësojë qëllimet e tij të luftës.

Qëllimet e luftës së Izraelit janë shkatërrimi i aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit e kthimi i pengjeve izraelite.