Rusia i vazhdon sulmet ndaj qyteteve ukrainase duke goditur rajonin jugor Odesa, si dhe Harkivin, qytetin e dytë më të madh të vendit. Të paktën një person u vra dhe 38 të tjerë u plagosën, përfshirë një foshnjë, referuar zyrtarëve rajonalë. Një sulm i madh me dronë gjatë natës në Odesa la një person të vdekur dhe nëntë të plagosur, siç raportoi Shëbimi i Urgjencës së Ukrainës, duke shtuar edhe se u dëmtuan godina banimi, biznese, shkolla e depo.
Sot Harkivi u sulmua për të dytën ditë me radhë, deklaroi kryebashkiaku Ihor Terekhov.
Një raketë ruse goditi një pallat të lartë banimi në qarkun Saltiv të qytetit duke plagosur 25 persona, mes tyre një foshnjë tremuajshe siç vuri në dukje Terekhov.
Ndërtesat historike dhe ato të banuara në qendër të qytetit u dëmtuan gjithashtu.
Në rajonin e Kievit u plagosën katër vetë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, bëri të ditur guvernatori rajonal, Ruslan Kravchenko. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi i është përgjigjur Rusisë duke e goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u shpreh sot se tashmë Ukraina e ka humbur luftën kundër pushtimit rus dhe se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do ta ndërpresë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kievin. Orban është mikpritës i një samiti dyditor në kryeqytetin hungarez Budapest.
Lufta në Ukrainë është temë kryesore në axhendën e liderëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Shumica e tyre besojnë se vazhdimi i furnizimit të Ukrainës me armë dhe ndihmë financiare janë elemente të rëndësishme për sigurinë e kontinentit.
Duke folur në radion shtetërore, Orban, një politikan i afërt me Donald Trump-in, si dhe me presidentin rus Vladimir Putin, përsëriti qëndrimin e njohur të tij se duhet të shpallet armëpushim i menjëhershëm. Po ashtu, parashikoi se Trump-i, i cili fitoi zgjedhjet në SHBA këtë javë do t’i japë fund luftës në Ukrainë.