Tech

Nuk mjaftohet si aksioner, Musk e do të gjithë Twitter-in për vete!

Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, dëshiron që të blejë të gjitha aksionet e Twitter, duke thënë se kjo platformë e mediave sociale, të cilën ai e kishte kritikuar se nuk përmbush parimet e lirisë së shprehjes, duhet të transformohet në kompani private.

Në dosjen e një rregullatori të Twitter Inc. u tha të enjten se Musk, i cili është aksioneri më i madh i kësaj kompanie, ka propozuar që të blejë aksionet e tjera të Twitter-it që aktualisht nuk i ka në pronësi, duke ofruar 54.20 dollarë për aksion, që në total do i binte 43 miliardë dollarë.

Musk tha se kjo ishte oferta më e mirë që mund të ofronte, edhe pse nuk ka dhënë detaje për financimin. Oferta nuk është e detyrueshme dhe i nënshtrohet kushteve të financimit dhe kushteve të tjera.

“Kam investuar në Twitter pasi besoj në potencialin e tij për të qenë platformë për fjalën e lirë në mbarë globin dhe besoj se liria e fjalës është një mjet shoqëror për një shoqëri funksionale”, citohet të ketë thënë Musk në një dokument drejtuar Twitter-it.

“Megjithatë, tani e kuptoj se kompania as nuk mund të përparojë e as nuk do t’i shërbejë shoqërisë, në formën siç është sot. Twitter duhet të transferohet në një kompani private”, shtoi ai.

Aksionet e Twitter u rritën në 47.83 dollarë, apo 4.5 për qind më shumë, por megjithatë vlera e tyre është më e ulët sesa ka ofruar Musk, që është një sinjal nga disa investitorë se marrëveshja me kreun e Teslas do të realizohet.

Twitter tha se do të vendosë në vijim, nëse do ta pranojë apo jo ofertën në bazë të interesave më të mira të aksionerëve të tij.

Një javë më parë, Musk ka blerë 9 për qind të aksioneve të Twitter-it, që e bëjnë atë aksionerin më të madh në këtë platformë sociale.

Miliarderi ka qenë mjaft kritik ndaj Twitter-it javët e fundit, veçanërisht për parimet e lirisë së fjalës.