Të paktën 211 persona janë raportuar të vdekur pas stuhive dhe përmbytjeve të së martës së kaluar në Spanjë dhe shumica prej tyre janë në rajonin e goditur mjaft rëndë të Valencias, siç vuri në dukje kryeministri i vendit, Pedro Sanchez pas një takimi urgjent të fokusuar te reagimi i autoriteteve vendase ndaj katastrofës natyrore me pasoja të tmerrshme.
Në një deklaratë të bërë më herët, ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska tha se ai pret që numri i viktimave të vazhdojë të rritet ndërsa ekipet e shpëtimit ende po vijojnë që të kryejnë kërkime intensive në zonat më të goditura.
Po ashtu, ekziston frika e madhe se shumë njerëz të tjerë do të gjenden të pajetë në makinat e rrëmbyera nga shirat intensivë e që përmbytën qytetet dhe shkaktuan daljen e lumenjve nga shtrati, në fillim të javës që po lëmë pas. Punonjësit e parë vullnetarë u larguan nga Valencia për t’u zëvendësuar nga të tjera grupe vullnetarësh që dërgohen në zonat e përmbytura për të ndihmuar.
Dy ditë më parë, qeveria rajonale e Valencias ngriti edhe një qendër koordinimi vullnetarësh për të mbikëqyrur përpjekjet. Por në kuadër të masave të sigurisë, zyrtarët iu bënë thirrje vullnetarëve që të mos drejtojnë automjetet në zonat e prekura, në mënyrë që kështu të mund të shmangin bllokimin e rrugëve për punonjësit e shpëtimit, të angazhuar në terren.
Kufizimet e rrepta për drejtimin e makinave në të gjithë rajonin, me qëllim për t’i mbajtur rrugët e pastra për automjetet e urgjencës mbeten në fuqi edhe ditën e sotme në Spanjë.
Ndërkohë, 5 mijë ushtarë të tjerë po vendosen në zonat e prekura këtë fundjavë për të përforcuar 2 mijë trupat që tashmë janë të angazhuara në terren, referuar raportimeve të transmetuesit televiziv RTVE.
Shefi i qeverisë spanjolle, Sanchez pati njoftuar se 10 mijë policë e ushtarë shtesë do të ndihmonin në përshpejtimin e rimëkëmbjes e pastrimit të zonës së fatkeqësisë. Shumë fshatra janë mbuluar nga balta, si dhe shfaqen makina, mobilje e të tjera sende shtëpiake të grumbulluara njëra mbi tjetrën e të dala në rrugë. Sipas autoriteteve spanjolle, në pjesën më të madhe të vendit është rikthyer furnizimi me energji elektrike.